Qeveria, grup ndërministror për evidentimin e familjeve në pamundësi ekonomike
>Kryeministri Berisha kërkoi dje në mbledhjen e qeverisë, ngritjen e një Grupi pune Ndërministror, për të përcaktuar saktësisht dhe me transparencë të gjitha familjet me pamundësi reale ekonomike, si dhe për të dalë me propozime konkrete për ndryshimet e nevojshme të ligjeve dhe vendimeve ekzistuese, për zgjidhjen e situatës së tyre.
Ky është një problem shumë i dhimbshëm, ndaj për këtë çështje do të ngrihet një grup pune ndërministror. Ne rimbursojmë miliarda e miliarda lekë, por në radhë të parë duhet tua adresojmë rimbursimin e plotë atyre që nuk mund të japin dot asnjë qindarkë. Skema e rimbursimit duhet të nisë në radhë të parë nga ana që janë në pamundësi të plotë ekonomike, u shpreh Kryeministri Berisha. Duke iu referuar shqetësimeve të ardhura tek ai, nga familje të mbetura në mjerim ekonomik, për shkak të humbjes së kryefamiljarit, për shkak të fatkeqësive të ndryshme, Kryeministri tha se së pari, pushteti vendor, duhet ti identifikojë me përparësi këto familje dhe nuk mund ti lërë ato në mjerim. Berisha u ndal dhe ne skemën e ndihmës sociale që jep qeveria, ku janë mbi 100 apo 150 milionë dollarë. Por, këto familje përjashtohen nga kjo skemë. Çdo qeveri punon me skemë, por krahas kësaj skeme, janë edhe disa individë apo familje, të cilët, skema, për specifikat që ata kanë, i le në mjerim, u shpreh kryeministri Berisha, sipas të cilit qeveria qendrore, nuk mundet në asnjë rrethanë që të shenjojë secilën prej këtyre familje, por ata kanë qeveritë vendore dhe, jo vetëm ato, por edhe prefekturat, qarqet. Nuk ka nevojë ti themi këtij individi se do të të ndihmojmë edhe një muaj apo edhe një tjetër, por ne i kemi të gjitha mundësitë ta mbështesim atë për problemet më bazale të jetës së tij. Por, kryetari i komunës dhe kryetari i bashkisë, si dhe prefekti që fle mbi këtë problem, shton në listën e personave në nevojë ekonomike edhe njerëz që mund të kenë të ardhura më shumë se sa edhe ata vet, vijoi Kryeministri. Për këtë çështje, sipas kryeministrit do të ngrihet një grup pune ndërministror, që do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale, Arsimit, Shëndetësisë, Brendshme, Financave.