E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Fierit projekton 732 milionë lekë investime në vitin 2099

>Bashkia e Fierit do të investojë 732 milionë lekë përgjatë vitit 2009. Kjo shumë është natyrisht shumë më tepër sesa viti i kaluar, por sipas specialistëve jo aq sa të plotësojë kushtet që kërkon sot zhvillimi urban i qytetit të fierit. Shifra prej 732 milionë lekësh të rinj, e miratuar me shumicë votash në këshillin bashkiak shënon një rekord të ardhurash për qytetin e Fierit. Ndërkohë, në planin e të ardhurave për vitin 2009 është parashikuar një rritje prej 62% krahasuar me realizimin e pritshëm të vitit 2008. Kjo rritje përfaqëson efektin e të ardhurave nga procesi i legalizimeve të ndërtimeve informale në masën 43%, shtesë nga donatorët 13% dhe 6% në rritje nga elementët e tjerë të strukturës të të ardhurave. Vetëm nga procesi i legalizimit janë parashikuar të arkëtohen rreth 132 milion lekë të rinj. Nga kjo shifër rekord të ardhurash, që bashkia pritet të ketë gjatë këtij viti, 32% e tyre janë parashikuar të shkojnë për investime. Përsa i përket taksave apo tarifave vendore, nuk është parashikuar asnjë rritje e tyre si për biznesin ashtu edhe për barrën fiskale të qytetarëve. Rritja e të ardhurave nuk është mbështetur në rritjen e nivelit të taksave, por në rritjen e numrit të bizneseve dhe menaxhimin efektiv të të ardhurave vendore. Numri i bizneseve të vegjël të regjistruar, parashikohet të shkojë në 2054, ose 11% më shumë se numri i tyre gjatë vitit 2008. Ndërsa bizneset e mëdha do të jetë 510. Rritja e të ardhurave në Bashkinë e Fierit do të ketë një impakt pozitiv për të gjithë komunitetin, sidomos në fushën e investimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›