Qeveria miraton një grand në mbrojtje të qytetarëve nga HIV/AIDS
Personat e pambrojtur nga virusi vdekjeprurës HIV/AIDS tani do të marrin një mbështetje të veçantë nga qeveria. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave mori një vendim për miratimin e marrëveshjes së grandit për programin Fuqizimi i përgjigjes kombëtare të Shqipërisë ndaj HIV/AIDS, për grupet e pambrojtura, (Faza e dytë), sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Miratimi i këtij grandi u bë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Global. Meqenëse sipas të gjitha të dhënave dhe statistikave të institucioneve shëndetësore në vendin tonë është bërë e ditur se virusi HIV/AIDS ka prekur një numër të lartë të popullsisë në vendin tonë, qeveria ishte e detyruar që të merrte masa. Gjithashtu një tjetër problem lidhur me këtë virus është edhe mosinformimi i plotë dhe i vazhdueshëm i qytetarëve si dhe frika për të kryer analizat e nevojshme. Ndaj me vendim të Këshillit të Ministrave u vendos që të përcaktohej një fond i posaçëm në favor të kësaj pjese të popullsisë që ato të jenë të mbrojtur. Ky vendim do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren zyrtare.