Ndoka: Konsensusi i PD-PS, solli eliminimin e partive të vogla
Partitë e vogla të spektrit të djathtë a të majtë thuajse kanë të njëjtin qëndrim për zgjedhjet e 28 qershorit. Duke qenë se shumica dërrmuese e tyre nuk arriti të fusë qoftë dhe një deputet në parlamentin e ri, kanë filluar ankesat dhe akuzat ndaj dy partive të mëdha. Më shumë duket se janë fokusuar tek procesi i numërimit të votave. Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, ka deklaruar se PD dhe PS, kishin një akord mes tyre, që gjatë numërimit të votave të penalizonin të vegjlit.
"Ka patur konsensus, që vota e Polit të Lirisë dhe Partisë Demokristiane të kalonin për PD. Kjo ka qenë evidente. Unë kam konstatuar që në disa raste që kur në monitor jepej vota e demokristianëve vihej për llogari të PD-së, është shprehur Ndoka. Sipas Ndokës mos përfaqësimi i tij personal, dhe i partisë së tij në parlament, nuk e sheh si një mbyllje kapitulli të angazhimit në politikë.