E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria harron ndihmat për katastrofat

Katastrofat natyrore nuk kanë qenë të rralla për banorët e zonave që ndodhen brigjeve të lumit Vjosë. Por ndonëse kanë qenë shpesh herë viktima të tekave të lumit, ndihma e vetme që ka shkuar për zonat e përmbytura kanë qenë vetëm ca ushqime dhe veshmbathje, të cilat janë dhënë nga Kryqi i Kuq. Asnjëherë autoritetet e qeverisjes vendore dhe ato qendrore nuk i kanë ndihmuar financiarisht banorët e dëmtuar. Ky fakt pohohet jo vetëm nga banorët e fshatrave përgjatë lumit Vjosë, që ndihen të rrezikuar gjithmonë prej "tërbimit" të lumit, por edhe nga të zgjedhurit vendorë. Faslli Nexhipi është kryeplaku i fshatit Ferras në Komunën Levan të Rrethit të Fierit. Ai na thotë: "As në vitin 2005, kur dëmet e përmbytjeve ishin të mëdha, e as sot nuk ka ndihma për banorët e fshatit, i cili rezulton më i dëmtuari për shkak të daljes së Vjosës". Më tej ai tregon se gjatë gjashtë viteve që ka qenë kryeplak i fshatit Ferras, ka parë se pothuaj tre herë në vit një pjesë të familjeve të fshatit të preken nga dëmtimet e Vjosës. "Edhe kur këto dëmtime kanë qenë afër një katastrofe të vërtetë, nuk ka pasur ndihma. Vetëm një dokument për çdo familje. Listo ato më të dëmtuarat dhe asgjë më shumë nuk është dhënë", ka thënë kryeplaku. Edhe kryetari i Komunës Frakull, tri fshatra të cilët preken nga përmbytjet, ka treguar se ndihma për zonat e dëmtuara ka munguar. Viktor Çervanaku thotë gjithashtu se përveç ndihmave, kanë munguar edhe investimet në brigjet e lumit, të cilat mund të parandalonin përmbytjet.
"Nuk ka pasur as investime dhe as ndihma. Çdo familje e Kafarajt, Çervenit, apo dhe e zonave të tjera të Komunës Frakull, i duhet t‘i përballojë vetë dëmtimet. Asgjë nuk është dhënë për to në çdo rast përmbytjeje", thotë kryetari i Komunës së Frakullës, Viktor Çervanaku. Banorët që janë më të dëmtuarit e daljes së Vjosës tregojnë se kanë vite që janë rrënuar ekonomikisht. Këtë ata e cilësojnë fatkeqësi shtetërore dhe jo natyrore. Banorët thonë se përmbytjet nuk ekzistonin përpara viteve ‘90. "Vetëm në vitin 1971 u bë një e tillë dhe asnjëherë nuk ndodhi gjatë 50 viteve të Enverit. Gëzuam për pavarësinë e mendimit dhe të lirisë dhe sot po përballemi me vdekjen nga lumi", thotë Vasilika Miha, banore e Ferrasit. Që nga mbrëmja e së dielës, banorët e Ferrasit, Çervenit, Kafarajt e Bishanit po e kalojnë natën jashtë. Edhe pse zyrtarisht thuhet se 25 familje në Ferras janë dëmtuar nga përmbytjet, pasi lumi u ka shkuar deri në brendësi të banesave, numri i të dëmtuarve është mbi 100. Kjo faktohet nga të dhënat që vijnë prej vendit të ngjarjes. Të dëmtuarit, ndërsa sfidojnë të ftohtin në majë të tarracave të banesave të tyre dhe luten për zmbrapsjen e lumit, akuzojnë qeveritë e njëpasnjëshme që nuk kanë mundur të parandalojnë përmbytjet. Ata thonë: "Mungesa e paneleve mbrojtës, që qeveria ende nuk po i ndërton në brigjet e lumit, shkakton sot përmbytje masive". Banorët gjithashtu thonë se edhe ndërtimet pa leje mbi kolektorët e tokave janë një shkak më shumë i përmbytjeve. Nga ana tjetër, zyra e emergjencave civile në Prefekturën e Fierit deklaron se po përllogarit zhdëmtimin e familjeve të përmbyturave. Viron Balla, specialist pranë kësaj zyre, thotë se shtabi i emergjencave civile ka vendosur që të përdoret fondi rezervë për situatat emergjente. "Ashtu siç dhe kam deklaruar ditën e parë të përmbytjes, edhe sot pohoj se do të ndihmohet çdo person me 200 mijë lekë dhe një familje nuk do të marrë më shumë se 1 milion lekë. Kjo do të jepet prej fondit të emergjencave civile që mbahet rezervë", thotë Viron Balla.
Ditën e dytë të përmbytjeve zona e dëmtuar është vizituar edhe nga ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, si dhe nga ai i Bujqësisë, Genci Ruli. Të dy ministrat kanë premtuar investime në brigjet e Vjosës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›