E Diel, 1 Nëntor 2026

PAMECA, kërkesë Burgajt: Na shpjegoni lëvizjet në polici

Ndryshimet e shumta në polici, sapo u emërua drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk kanë kaluar në heshtje, duke sjellë dyshime edhe për shkelje ligjore. Madje, misioni policor PAMECA ka kërkuar informacion të detajuar mbi këto ndryshime, që sipas të dhënave nga policia, vetëm në muajin nëntor janë kryer rreth 140 lëvizje, duke filluar që nga drejtorët, shefat, e tek oficerët e policisë.
Nga të dhëna të besueshme pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mësohet se misioni policor, PAMECA, që asiston pranë policisë shqiptare, ka dërguar një kërkesë për informacion pranë kreut të policisë, Hysni Burgaj, të cilit i kërkohet informacion në lidhje me këto ndryshime. PAMECA në letrën e saj ka kërkuar informacion se mbi çfarë kriteresh janë kryer këto ndryshime, a janë bazuar në ligjet në fuqi dhe arsyen e detajuar për to. Gjithashtu, një fakt tjetër shqetësues i paraqitur prej tyre është se ndryshimet janë kryer në përmasa tejet të mëdha dhe në një kohë shumë të shkurtër. Tashmë, specialistë të PAMECA-s, të cilët prej vitesh asistojnë pranë policisë shqiptare presin përgjigje për t‘iu shpjeguar gjithë këto ndryshime. Për ta mbetet shqetësim edhe fakti nëse janë respektuar gradat e që kanë mbi supe oficerët e transferuar nga një vend në tjetrin.
Ndërkaq, mësohet se kërkesa bazohet vetëm për ndryshimet e kryera gjatë muajit nëntor. Nga të dhënat e mbledhura rezulton se ndryshime të tjera kanë vijuar edhe në muajin dhjetor, por jo në ato përmasa të mëdha, që u kryen gjatë një muaji më parë. Sipas të dhënave, rastet e ndryshimeve, të cilat mendohet se do të vijojnë edhe në muajin e parë të vitit që po hyjmë, janë kryer me raste të veçanta dhe pa ndikuar në punën e policisë.
Për problemet e spikatura, specialistët e policisë kanë deklaruar për "Shqip" se janë kryer në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit. Një ndër pikat e tij, siç deklarojnë burimet policore, është neni 53. Ky nen flet për caktimin e detyrave dhe transferimin e punonjësve të policisë. Në pikën 3 të këtij neni deklarohet se punonjësi i policisë njoftohet të paktën një muaj për vendimin për transferimin e tij jashtë rrethit, ku aktualisht banon. Ndërsa në pikën 4 po të nenit 53 deklarohet se "pika 3 e këtij neni nuk zbatohet kur transferimi bëhet për nevoja të ngutshme shërbimi. Në këto raste transferimi nuk duhet të jetë më shumë se dy muaj".
Duke marrë shkas nga këto dy pika të ligjit, rezulton se asnjë prej tyre nuk është njoftuar një muaj para për lëvizjet paralele, ose emërimet e reja, pavarësisht se ishin në detyrë në njërën anë të Shqipërisë e janë emëruar në anën tjetër të saj. Kjo ka sjellë edhe shkelje të ligjeve të tjera, që flasin për transferimet, pasi siç dihet edhe me vendim të qeverisë, një punonjës policie kur transferohet nga një detyrë në tjetrën, kur nuk është në të njëjtin qark, ai duhet të rehabilitohet me kushtet jetësore, siç janë banesa, familja, ushqimi dhe puna e anëtarëve të tjerë të familjes.
Gjithashtu, në motivin e telegramit të shkuar për emërimet e reja, ata nuk janë vënë në dijeni për asnjë nevojë të ngutshme shërbimi. Madje, nevoja të tilla përcaktohen qartë edhe në Rregulloren e Personelit, por që asnjëra prej tyre nuk është zbatuar në rastin aktual. Madje, drejtues të policisë tregojnë se këto ndryshime, ose rokada drejtorësh nga një qark në tjetrin, janë bërë në një kohë shumë të shkurtër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›