Qeveria hungareze i përgjigjet Brukselit

Lajmi bëhet i ditur nga Brukseli. Letra ka ardhur pasi KE paralajmëroi për shkeljen e tri procedurave nga modifikimi i Kushtetutës dhe ligjeve mbi drejtësinë dhe mediat.
Muajin e kaluar kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i lëshoi një paralajmërim kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, të cilit i tha se nuk duhet të mendojë që liderët e BE-së janë “budallenj” dhe se mund të mashtrohen lehtë.
Sipas Schulz, Orban nuk duhet të mendojë se “mund t’ia hedhë duke thënë një gjë tjetër në Bruksel dhe një gjë tjetër në Budapest”.
Deklarata e Schulz erdhi pasi, pavarësisht se kryeministri Orban u zmbraps përballë europarlamentarëve në Strasburg, në Budapest ai vazhdoi t'i bënte rezistencë kërkesave të Komisionit Evropian për të paktën një prej tri ligjeve të kontestuara.
Duke përcjellë qëndrimin e qeverisë hungareze, zëdhënësi i tij, Andras Giro-Szasz këmbënguli të tregonte se Budapesti nuk pajtohej me ekzekutivin e bllokut për sa i takon moshës së pensionit për gjykatësit.