E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA e interesuar për përparime në Ballkan

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në takim zëvendëssekretarin amerikan të shtetit, William Burns, i shoqëruar nga zëvendësndihmëssekretari i shtetit, Filip Riker, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Burns ka ritheksuar mbështetjen dhe përkrahjen e SHBA-së për Kosovën "në të gjitha proceset e saj". Ai ka thënë se SHBA-ja është e interesuar për përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit, përfshirë Kosovën, drejt integrimeve euroatlantike.

Në anën tjetër, presidentja Jahjaga ka thënë se prania e vazhdueshme e SHBA-së në Kosovë është garantues i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Sipas shefes së shtetit, janë bërë hapa të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të arritur stabilitetin, ndërsa zbatimi i Planit Ahtisari, shtoi Jahjaga, ofron të drejta të garantuara për komunitetin serb dhe është zgjidhja më e mirë për komunat në veri të Kosovës.

Presidentja e Kosovës ka thënë po ashtu se Serbia duhet të përmbushë obligimet e veta, duke u angazhuar për një bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.

Burns po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku ka zhvilluar një sërë takimesh më përfaqësues shtetërorë dhe ndërkombëtarë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›