E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria i bllokon grantin Korçës, Ersekës e Maliqit

KORÇË -Qeveria bllokon 2 grante prej 170 milionë lekësh për Bashkinë e Korçës, duke paralizuar në këtë mënyrë gjithë aktivitetin e saj, madje duke e çuar në një kolaps financiar prej gati 3 muajsh. Sipas nënkryetarit të Bashkisë, Sotiraq Filo, shkak për këtë bllokim është bërë përplasja e vazhdueshme me Këshillin e Qarkut dhe mosshlyerja në kohë e detyrimeve ndaj tij. Në vijimësi, detyrimi financiar i Bashkisë ka sjellë probleme edhe për mbarëvajtjen e Këshillit. Të paralizuara financiarisht nga bllokimi i fondeve të pakushtëzuara janë edhe Bashkitë e Ersekës dhe Maliqit.
Situata
Përplasja mes Këshillit të Qarkut dhe Bashkisë së Korçës, për derdhjen e një kontributi në masën 3.5% të të ardhurave të Bashkisë në Këshillin e Qarkut është shoqëruar me bllokim të fondeve për Bashkinë më të madhe në juglindje të vendit. Tashmë prej 3 muajsh Bashkia e Korçës ka të bllokuar fondin grant në Degën e Thesarit sipas një urdhëri që ka lëshuar Ministria e Financave për këtë bllokim, me pretendimin se kjo njësi vendore nuk ka bërë derdhjen në kohë të detyrimit financiar, në masën 3.5% të të ardhurave të saj për Këshillin e Qarkut.

Nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo shprehet se ndërprerja e granteve është duke krijuar vështirësi të shumta në këtë njësi vendore, në lidhje me investimet, shërbimet publike dhe deri tek pagat e administratës. Megjithatë sipas Filos, kjo njësi vendore është e vetëdijshme për shlyerjen e këtij detyrimi financiar dhe gjithçka është përfshirë edhe në buxhet. Nga ana tjetër, mosderdhja e këtyre detyrimeve ligjore, jo vetëm nga Bashkia e Korçës, por edhe disa njësi të tjera vendore, ka krijuar vështirësi edhe në pagesat e administratës së Këshillit të Qarkut. Sipas të dhënave Ministria e Financave ka bllokuar grantet e Bashkisë së Maliqit dhe Ersekës për shkak të borxhit që ujësjellësit i kanë kompanisë CEZ, por edhe detyrime për shërbime të tjera, ndërsa mësohet se bllokimit të granteve të qeverisë nuk i kanë shpëtuar edhe disa komuna.
Nënkryetari
i Bashkisë
Numri 2 i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo sqaron për "Gazetën Shqiptare" gjithë situatën dhe problemet financiare që lindin nga detyrimet e pashlyera. Ai deklaron se prej gati 3 muajsh, Dega e Thesarit në Korçë, ka bërë bllokimin e dy granteve të pakushtëzuar me një vlerë prej 170 milion lekësh për Bashkinë.

"Ka qenë një kërkesë e Drejtorisë së Financave, në Këshillin e Qarkut, drejtuar Ministrisë, ajo e cila ka sjellë edhe këtë bllokim të fondeve për këtë Bashki", - shprehet Filo. Ai shkon më tej, duke thënë se kjo ngrirje e fondeve ka krijuar probleme të shumta për këtë njësi vendore. "Bllokimi i granteve na përball me vështirësi të shumta qoftë në kuadër të investimeve, shpenzime e operative, por edhe në shlyerjen e pagave të punonjësve të Bashkisë së Korçës", - sqaron nënkryetari. Megjithatë ai nuk kundërshton faktin se 3.5%-shi është një detyrim ligjor ndaj Këshillit dhe duhet shlyer. "Është një përplasje e vjetër institucionale, mes Këshillit të Qarkut dhe Bashkisë së Korçës, për derdhjen e kontributit në masën 3.5% të të ardhurave të saj. Në fakt është një detyrim ligjor që ne e kemi parashikuar edhe në buxhet, por Këshilli i Qarkut kërkon derdhjen e këtyre të ardhurave muaj për muaj. Dua të theksoj se po në këto baza ligjore, duke ju referuar një urdhëri të Ministrisë së Financave çdo njësi vendore mund të përcaktojë vetë kohën e derdhjes së kontributit. Për Bashkinë e Korçës është një nga vitet më të vështira financiare, ndaj e kemi pasur të vështirë të shlyejmë në kohë detyrimin ndaj Këshillit të Qarkut", - pohon Filo.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›