Qeveria injoroi kërkesat e biznesit
Pak para miratimit të projektligjit nga Këshilli i Ministrave, bizneset anëtare të Këshillit Konsultativ, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, kishin dërguar disa propozime për ndryshime në nene. Në letrën e dërguar ministrit të Financave, bizneset shprehnin shqetësimin se projektligji do të rëndojë barrën fiskale, duke cenuar konkurrencën dhe aktivitetin privat të rreth 35 subjekteve private. Anëtarët e Këshillit Konsultativ të Biznesit kërkon që produktet e qelqit dhe plastikës të mos përfshiheshin me akcizë, si masë mbrojtëse ndaj mjedisit, pasi të tilla lëndë ricikloheshin nga industri të ngritura posaçërisht për këtë qëllim. Por qeveria nuk i mori parasysh kërkesat, duke u mjaftuar vetëm me vendosjen e masës së rimbursimit deri me 50 për qind.
#