Qeveria jep 400 milion lekë për hapjen e rrugëve
Qeveria shqiptare alokon 400 milionë lekë të vjetra për zhbllokimin e rrugëve të bllokuara nga dëbora. Ministri i brendshëm Bujar Nishani, njëkohësisht edhe kryetar i komitetit ndërministror deklaroi në një konferencë për shtyp se ky fon do t`u vihet në dispozicion adminsitratave të qarkut të Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Korçës për t`u përdorur për kontraktimin e mjeteve që do të punojnë për pastrimin dhe hapjen e rrugëve të bllokuara.
“Ky fond tashmë i alokuar në destinacionin e komunave, bashkive, por edhe administratës së qarqeve është i destinuar të përdoret vetëm për hapjen e rrugëve për të kontraktuar mjete nga kompanitë private për të hapur akset e rrugëve rurale, për të kontraktuar direkt mjete private për hapjen e rrugëve të komunave, kurse fondi i prefekturave do të përdoret vetëm për furnizimin me karburant të mjeteve që do të nevojiten nga drejtoritë rajonale që asistojnë në këto akse” theksoi Nishani.
Sipas tij, gjatë takimeve me shtabet e emergjencës propozimi kryesor i kryekomunarëve ka qenë të kishin një fond financiar, pasi ka qenë më e lehtë të kontraktonin mjete për hapjen e rrugëve ndërsa u ka bërë apel banorëve të zonave të bllokuara për bashkëpunim.
“I adresohem banorëve të zonave që na nevojitet angazhim dhe solidaritet për përballimin e problematikave. Ata të angazhohen për të pastruar çatitë e banesave nga sasia e madhe e borës, pasi ky është rrezik evident” shtoi më tej Nishani.
Nishani gjithashtu ka garantuar se qeveria ka fonde të mjaftueshme për përballimin e situatës ndërsa shtoi se fondi prej 400 milionë lekësh është nga fondi i Ministrisë së brendshme për emergjencat