Qeveria kërcënohet nga oligarkët? Rama: Askush nuk ndikon në vendimmarrje, janë kontributorë në buxhet!

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë mundësinë që ata që përfliten si oligarkë të ndikojnë në vendimarrjen e qeverisë. Duke folur nga Korça, zoti Rama tha se ata që opozita i quan “oligarkë”, janë kontributorë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, me taksa.
Kryeministri socialist ju referuar premtimit të kreut të opozitës, Lulzim Basha, për uljen e taksës së sheshtë në 9 përqind. “Vetëm nga taksa e sheshtë “oligarkët” do të marrin direkt nga buxheti i shkollave, spitaleve, etj, mbi 59 milionë euro, të cilat sot i fusin në buxhet si taksë. Kaq e thjeshtë është!” tha ai. “Keni zgjedhur një sistem ku padiskutim do kemi njerëz shumë të pasur dhe do kemi diferenca të mëdha mes tyre dhe tjerëve. Mund të jenë këta që janë, mund të jenë të tjerë komplet, nuk kanë rëndësi emrat. Çështja është e thjeshtë, këta njerëz shumë të pasur, e para, a e krijojnë, a e zhvillojnë pasurinë e tyre në rrugë të ligjshme? E dyta, këta njerëz shumë të pasur a i kthejnë shoqërisë në formë kontributesh atë që i detyrohen? Dhe e treta këta njerëz shumë të pasur a janë në punën e tyre apo bëjnë edhe punën e qeverisë, në sensin e influencës mbi qeverinë?” pyeti zoti Rama. “Përdoret fjala oligark, por kjo fjalë nuk lidhet thjesht me sa para ke. Por sa pushtet ke mbi vendimmarrjen, që do të thotë pushtet okult, jo legjitim, pushtet i ushtruar përmes influencës tënde si aktor në treg, jo përmes mandateve të përfaqësimit. Në këtë sens nuk ka oligarkë në Shqipëri, sepse nuk ka në Shqipëri njerëz të pasur që marrin vendime për llogari të qeverisë” tha kryeministri shqiptar. “Nuk ka në Shqipëri ndonjë që të më detyrojë mua apo qeverinë tonë që të marrim vendimin që shkon në interes të tij dhe në dëm të interesit publik. Në Shqipëri para se ne të vinim në qeveri paguanin më pak taksa dhe fitonin më shumë. Ky është fakt. Ata kishin një taksë të sheshtë njësoj si furrat e bukës në Korçës 10% dhe sot ata taksohen 15%” tha zoti Rama.
“Këta janë punëdhënësit më të mëdhenj të Shqipërisë, pra mbajnë në punë dhjetëra mijëra njerëz. Këta janë kontributorë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, me taksa. Financohen edhe shkollat, edhe shtëpitë e rindërtimit. Dhe e fundit, këta janë aktorë, të cilët në kushtet e Shqipërisë që qeverisim ne, thjesht dhe vetëm kanë kontribuar kur është fjala për projektet e partneritetit publik privat” spjegoi zoti Rama.
Kryeministri tha se si rezultat i kontratave PPP janë kryer sipërmarrje të rëndësishme. Ai përmendi Check-up-in dhe “Rruga e Arbrit”, që është një nga rrugët më të premtuara në vendin tonë.