Qeveria kërcënon me burg shoferët e kamionëve pas grevës së gjatë
Qeveria greke ka vënë në përdorim një urdhër shumë të rrallë të rezervuar për rastet urgjente, për të detyruar shoferët e kamionëve që të rifillojnë punën, pas tri ditësh protesta dhe grevë. Sipas rregullit të ri, ata duhet të rikthehen në punë ose përndryshe do të arrestohen dhe do të humbasin licencat e punës. Shumë stacione karburanti në Athinë kanë mbetur pa furnizim dhe ndërkohë dyqanet dhe fabrikat kanë mbetur pa furnizime dhe lëndë të parë. Shoferët e kamionëve janë kundër një ligji të qeverisë që kërkon ta bëjë këtë industri më konkurrente, si pjesë e masave të shtrëngimit të shpenzimeve që janë marrë pas marrëveshjeve për ndihmë ekonomike nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kjo reformë është pjesë e një pakete shumëmiliardëshe që i është ofruar Greqisë para disa muajve, për ta shpëtuar nga situata e dëshpëruar, për shkak të deficitit të lartë buxhetor. Anëtarët e Sindikatës së Shoferëve të Kamionëve thonë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe madje kanë sfiduar qeverinë që po t’ia mbajë, le të guxojë t’ua marrë kamionët. Ministri grek i Financave tha se drejtuesit e kamionëve nuk do të lejohen që të mbajnë peng shoqërinë dhe ekonominë greke. Ai shtoi se “askush nuk ka të drejtë që të paralizojë vendin, askush”. Urdhri me kërcënim për rikthim në punë është lëshuar disa orë pas negociatave mes qeverisë dhe përfaqësuesve të shoferëve të kamionëve, të cilat kanë përfunduar pa asnjë lloj rezultati. Rregullorja e emergjencës kombëtare zakonisht vihet në forcë në kohë lufte, apo gjatë situatave të rënda të fatkeqësive natyrore. Industria e turizmit e vendit është duke pësuar shumë goditje nga kjo grevë e gjatë dhe janë duke u regjistruar shumë anulime turistike nga vende të botës. Vendi gjatë gjithë këtyre muajve ka qenë i përfshirë nga një sërë grevash dhe protestash të shkaktuara nga masat e marra nga qeveria. Kjo e fundit, përmes masave të marra, synon që të ulë deficitin buxhetor, në mënyrë të ndjeshme gjatë viteve në vijim.
#