E Diel, 1 Nëntor 2026

Fajdet shqiptare, proces në Gjykatën e Strasburgut

“Cenaj” dhe “VEFA” Në Gjykatën Europiane është në proces gjykimi çështja: Shoqëria VEFA kundër shtetit grek

Një përfaqësuese e Avokaturës së Shtetit ka marrë disa muaj më parë një prokurë përfaqësimi nga grupi mbikëqyrës i firmave piramidale, për të përfaqësuar Shqipërinë si palë e tretë në proceset gjyqësore, që janë hapur në Gjykatën e Strasburgut. Burime nga grupi mbikëqyrës thanë për gazetën “Shqip” se në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut është në proces gjykimi çështja: Shoqëria VEFA kundër shtetit grek. Kjo shoqëri ka paditur shtetin helen, pasi nuk i ka kthyer disa pasuri e kapitale të bllokuara. Janë rreth 2.5 milionë USD që VEFA synon t’i rimarrë. Në shtetin grek, shoqëria VEFA i ka humbur të tria proceset gjyqësore dhe e vetmja mundësi që të rimarrë këtë pasuri është Gjykata e Strasburgut. Mësohet se çështja ka kaluar dhomën e konsultimeve dhe pritet të gjykohet nga një kolegj penal. Për këtë arsye, shteti shqiptar ka vepruar me shpejtësi, duke dërguar në Strasburg edhe përfaqësuesen nga Avokatura e Shtetit, si palë e tretë. Ndërkohë, në Gjykatën e Strasburgut është regjistruar edhe çështja me titull: Lefter Cenaj kundër shtetit grek. Kreu i firmës piramidale “Cenaj”, pasi humbi betejën ligjore me shtetin helen, i është drejtuar Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke kërkuar që shuma prej 8 milionë USD, që është e bllokuar në bankat greke, t’i kthehet në posedim. Edhe në këtë rast, çështja do të ndiqet me interes nga drejtësia shqiptare dhe pritet që një përfaqësi nga Avokatura e Shtetit të marrë pjesë si palë e tretë. Krahas kësaj nisme, Grupi Mbikëqyrës i Firmave Piramidale ka filluar procedurat për ngritjen e një padie në Gjykatën e Athinës për të riatdhesuar milionat e fajdeve që ndodhen në Greqi. Kryeadministratori i fajdeve, Bajram Malaj, tha për gazetën “Shqip”, se është në përfundim të procedurave për lidhjen e marrëveshjes me një studio ligjore greke.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›