E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria kosovare 100 projektligje në 2011

PRISHTINË- Numri i projektligjeve të miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në vitin 2011 arriti sot në 100.

“Është numër rekord i projektligjeve të miratuara”, tha pasdite në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi. “Kërkohet edhe një përkushtim dhe intensifikim i punëve prej të gjithëve në mënyrë që këto projektligje të aprovohen dhe kalojnë edhe në Kuvend”, shtoi ai.

Kryeministri Thaçi fillimisht falënderoi deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2012 në seancën plenare të fundvitit të filluar dje, e cila ka vazhduar edhe sot me mbi dhjetë projektligje në rend dite.

“Ky është buxheti i vazhdimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, implementimit të shumë projekteve të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët, i rritjes së mirëqenies sociale, i vazhdimit të rritjes së pagave për punëtorinë kosovare, i reformave demokratike dhe buxhet i Kosovës evropiane”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Ai theksoi se në vitin 2012, ne do të hyjmë me zotimin dhe vizionin e qartë, për Kosovën evropiane dhe drejt përmbylljes së procesit të pavarësisë së mbikëqyrur.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar votoi pro Planit të Veprimit për Partneritet Evropian për vitin 2012 . “Integrimi Evropian mbetet prioriteti kryesor i Qeverisë së Kosovës, prandaj edhe Plani i Veprimit i Partneritet Evropian është dokumenti kryesor afatmesëm planifikues, i cili ka për qëllim adresimin e sfidave dhe prioriteteve kyçe afatshkurta dhe afatmesme të identifikuara nga Partneriteti Evropian nga viti 2008”, tha ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku.

Kuvendi kosovar në seancën përmbyllëse të sesionit vjeshtor, e cila ka dy ditë që zhvillon punimet, kishte sot në rend dite dhe përkrahu Planin e veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrime evropiane, për vitin 2012.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë kosovare u shqyrtuan edhe çështje të tjera, ndërsa zv/kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, njoftoi kabinetin qeveritar lidhur me fillimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes të Prishtinës dhe Beogradit, e që ka të bëjë me Regjistrat Kadastral.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›