Qeveria “Berisha”, 2.7 miliardë lekë abuzime në 37 muaj

Megjithëse qeveria e djathtë ka pohuar se është në dietë dhe se ka ulur shpenzimet e administratës, niveli i dëmit ekonomik vazhdon të jetë i lartë.
Të dhënat janë publikuar dje nga raporti më i fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky dëm i përket veprimtarisë ekonomike-financiare për periudhën kohore 2005-2007 dhe nëntëmujorin e parë të vitit 2008-të.
Abuzimet më të mëdha janë bërë në fushën e prokurimeve, që kapin vlerën 718 milionë lekë, në doganat me dëm financiar 695 milionë lekë, në fushën e urbanistikës me vlerë 153 milionë lekë, shkelje të disiplinës financiare 30 milionë dhe tatim-taksat me vlerë 1 miliard lekë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje në fushën e prokurimeve përkatësisht në 11 bashki, ku përmendim Bashkinë Shkodër, Krujë, Shijak, Gjirokastër, Kavajë dhe Komunat Ksamil, Dajt, Këshillin e Qarkut Durrës dhe Korçë.
Drejtoria e Rrugëve Tiranë dhe Drejtoria e Rrugëve në Durrës janë në listën e abuzuesve me prokurimet nga monitorimi i KLSH-së.
Ministria e Mbrojtjes është ministria e vetme që ndodhet në “listën e zezë” të abuzuesve në fushën e prokurimeve. Degët e doganave në Tiranë, Berat, Shkodër, Fier, Sarandë, Vlorë, Qafë-Thanë dhe Bllatë, si detyrime doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve, autovetura, dhe subjektet që kanë operuar me autorizim për regjimin e përpunimit aktiv, si dhe mos aplikim të sanksioneve ligjore. Për vlerën e dëmit ekonomik, KLSH ka rekomanduar zhdëmtimin e dëmit në masën 99.5%. Për të metat dhe shkeljet e konstatuara për çdo subjekt të kontrolluar, në bazë të ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997, “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000, KLSH-ja dhe ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil” dhe disa ligjeve të tjera në fuqi, KLSH u ka kërkuar organeve të nomenklaturës shqyrtimin dhe marrjen e 693 masave disiplinore dhe administrative.
Abuzimet
Në fushën e tatim-taksave, abuzimet e konstatuara nga KLSH janë vënë re në Bashkinë Durrës, si diferencë takse midis situacionit përfundimtar dhe vlerës fillestare.
Në Komunën Farkë, Tiranë, në vlerën 8 milionë lekë për mos mbajtje të tatimit në burim, si edhe të taksës së ndërtesës dhe taksës së tokës bujqësore për mos llogaritje të taksës për diferencën midis vlerës së përllogaritur të investimit dhe situacionit përfundimtar, si edhe mos shlyerje të taksave vendore nga disa subjekte.
Në Komunën Dajt, Tiranë, abuzimet janë shkaktuar nga mos pagesa e taksës së infrastrukturës në masën 1% të vlerës së investimit. Në Komunën Farkë, Tiranë, abuzimet kanë ardhur si detyrim i pa llogaritur dhe i pa arkëtuar prej 1% të vlerës së investimit.