E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra e bën Sejdiun Qytetar Nderi

Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës nderoi dje me titullin “Qytetar Nderi” Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

 Ky titull iu akordua Presidentit të Kosovës me një ceremoni festive në mjediset e Bashkisë së Shkodrës. “Sot kemi nderin të presim në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë, Presidentin e Kosovës, Shkëlqesinë e tij, zotin Fatmir Sejdiu, i cili më 17 shkurt 2008 firmosi aktin më madhor të shqiptarëve, shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, tha në përshëndetjen e tij kryetari i këshillit bashkiak, Bardhyl Lohja.

Ai theksoi se Presidentit të Kosovës i jepet titulli i lartë “Qytetar Nderi i Shkodrës” me motivacionin “Për vlerat e spikatura intelektuale e patriotike, për rolin dhe kontributin historik në shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve, për merita të veçanta në vendosjen dhe ruajtjen e paqes në rajon”.

Pas dorëzimit të titullit nga kryetari i bashkisë, Lorenc Luka, Presidentit Sejdiu, ky i fundit falënderoi për nderimin që iu bë nga qyteti i Shkodrës dhe përmendi vlerat kulturore e arsimore të krijuara në këtë qytet, historinë dhe legjendat e saj.

"Kam pasur rastin të jem i pranishëm në Shkodër, duke njohur nga afër kalanë e Rozafës dhe legjendat e saj, Bunën, rrugët, shkollat, kishat, xhamitë, këngët dhe dyqanet e shumta. Shkodra ishte prore shtëpi e lirisë, ishte shtëpi e Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës, që i dha frymë aspiratës së saj për t’u shkëputur nga robëria dhe vuajtja”, nënvizoi Presidenti Sejdiu.

Pasi foli për ndryshimit që kishte vërejtur gjatë vizitës në Shqipëri, ai vërejti se “edhe Shkodra është një pamje e këtij transformimi" dhe se tani asaj "po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm, si një qendër e madhe arsimi, kulture, ekonomie e turizmi”.

“Shkodra dhe qytetet e Kosovës duhet ta rrisin shpejt bashkëpunimin në të gjitha fushat, pasi zhvillimi modern nuk mund të bëhet pa hyrë në një proces të madh bashkëpunimi e integrimesh rajonale e më gjerë. Besoj se bashkëpunimi edhe me Ulqinin dhe qytetet e tjera të Malit të Zi do të jenë një nxitje për zhvillimin e të dyja qyteteve dhe vendeve që kanë synim të përbashkët, ashtu si edhe Kosova, integrimet euroatlantike dhe BE-në”, theksoi Presidenti i Kosovës.

Pas ceremonisë, i shoqëruar nga autoritetet vendore dhe stafi i tij, Presidenti i Kosovës bëri një xhiro në pjacën e Shkodrës, ku u përshëndet me qytetarët shkodranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›