Vila 32, Apollon Baçe kërkon ti hiqet statusi monument kulture
Procesi i prishjes së shtëpive private për ti hapur rrugë ndërtimit të pallateve duket se do të prek edhe vilat e ish bllokut në Tiranë. Të paktën këtë paralajmëron një vendim i Institutit të Monumenteve të Kulturës, për të hequr nga lista e monumenteve një vilë e cila ishte futur në këtë listë shtatë vjet më parë, nga i njëjti drejtues që kërkon nxjerrjen tani nga lista. Kjo vilë në zemër të bllokut në Tiranë e cila prej shumë vitesh përdoret si lokal, në fakt është një monument kulture i kategorisë II. Në të shkuarën ajo është njohur si Vila Kareco apo Vila 32 në rrugën Ibrahim Rugova, në Tiranë. Dokumenti i publikuar dje në Top-Channel, është kërkesa e formuluar prej drejtorit të Institutit të Monumenteve Apollon Baçe më datë 11.07.2013, i cili i propozon ministrit të Kulturës Visar Zhiti për tia hequr statusin e objektit të trashëgimisë kulturore, vilës në fjalë. Këtë propozim z.Baçe e argumenton me faktin se kjo ndërtesë nuk përmban asnjë vlerë kulturore-arkitektonike apo historike për të gëzuar statusin Monument Kulture. Kjo kërkesë e z.Baçe bie ndesh me një vendim po të vetë z.Baçe në vitin 2007. Mësohet se ishte pikërisht vetë z.Bace, personi i cili e përfshiu këtë objekt në listën e trashëgimisë kulturore. Me të drejtë lind pyetja: Përse për zotin Baçe ky objekt në vitin 2007 përmbante të gjitha vlerat për tu quajtur trashëgimi kulturore ndërsa 6 vite më pas sipas tij nuk përmban asnjë vlerë kulturore-arkitektonike apo historike? Telefonatave të bëra dje nga media për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje, z.Baçe nuk iu përgjigj. Sakaq Ministria e Kulturës drejtuar prej ministrit në detyrë Visar Zhiti, po për këtë çështje hesht. Zëdhënësja e kësaj ministrie kontaktuar përmes telefonit tha se ishte me pushime dhe mund të komunikonim me drejtorin e kabinetit Enton Berraj, i cili gjithashtu nuk përgjigj kërkesës për të biseduar rreth kësaj cështje. Në të tilla kushte mbetet e paqartë nëse ministri Zhiti e ka pranuar këtë propozim të Institutit të Monumenteve. Një pranim i mundshëm i këtij propozimi të Apollon Baçes prej ministit Zhiti do të thotë një monument kulture më pak për Tiranën dhe ndoshta një pallat më shumë në të ardhmen.
Nga Muhamed Veliu, TCH