E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ‘shpall’Xhihadin të paligjshëm

TIRANE-Tirana zyrtare shpall të jashtëligjshme Xhihadin Islamik dhe Al- Kaedën. Gazeta Shqiptare zbardh sot vendimin e marrë në mbledhjen e djeshme nga qeveria shqiptare ku futen në listën e Al-Kaedës dhe të talebanëve 62 biznesmenë arabë dhe 9 kompani tregtare. Në vendimin e djeshëm, Këshilli i Ministrave ka shpallur listën e emrave të personave të shpallur si financues të terrorizimit. Listës aktuale, sipas këtij vendimi i shtohen dhe këta emra, të cilët janë miratuar nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këta emra janë dhe sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat dhe kompanitë që kanë lidhje me talebanët dhe Al-Kaedën, si dhe personat, organizatat dhe kompanitë, të cilat rezultojnë si financuese apo që ndihmojnë terroristët dhe organizatat terroriste. Sipas vendimit të qeverisë, subjektet dhe individët e vendosur në listë duhet të trajtohen sipas rregullave ndërkombëtare, me konfiskim pasurie nëse zotërojnë asete në Republikën e Shqipërisë.
Në listën e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Kaeda, qeveria shqiptare ka shpallur Xhihadin Islamik, Movimentin për Reforma në Arabi, Lëvizjen Raxhah Solaiman. Al-Kaeda në Irak, Al-Kaeda në Peninsula të Arabisë (AQAP); Meadoëbrook Investments Limited; Ozlam Properties Limited; Sanabel Relief Agency Limited dhe Sara Properties Limited, janë emrat e tjerë të kompanive të shpallura të paligjshme në Shqipëri. Në listën e qeverisë, si bashkëpunëtor i talebanëve ndodhet dhe Sirajuddin Jallaloudine Haqqani. Në vitin 2008, qeveria amerikane vendosi një çmim prej 5 milionë USD për personin që jep informacion për vendndodhjen e tij. Në listën e 62 personave të kërkuar figurojnë njerëz që bashkëpunojnë me organizatat terroriste që veprojnë në Afganistan, Pakistan, por që kanë ushtruar aktivitetin e tyre dhe në shtetet e ndryshme të Evropës.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Lidhje te tjera Lista e individeve bashkepunetore me Talibanet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›