E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e Kuvendit sot shqyrtimi nëseancën plenare

TIRANE-Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit për mënyrën e shqyrtimit dhe votimit të dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese do të shqyrtohen në seancën e sotme parlamentare. Paketa për amendimin e dokumentit më të rëndësishëm që rregullon jetën parlamentare, e propozuar nga deputetë të maxhorancës, parashikon votimin e hapur të dekreteve të presidentit, sikundër veprohet në rastin e miratimit të ministrave dhe buxhetit të shtetit. Deri tani votimi i dekreteve të kreut të shtetit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese bëhej me kuti ose i fshehtë me elektronikë.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i mbledhur dje në mesditë u shpreh kundër amendimit të rregullores së Kuvendit, që synon ndryshimin e mënyrës së shqyrtimit dhe votimit të dekreteve të Presidentit të Republikës. Sipas njoftimit për shtyp nga selia rozë, “në mbledhjen e radhës të grupit socialist u diskutua me shqetësim mbi qëndrimin refraktar dhe bllokues të maxhorancës për zgjidhjen e krizës politike, institucionale e ekonomike”. Duke u ndalur tek ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, të propozuara nga maxhoranca parlamentare, grupi i PS-së vlerësoi se “këto ndryshime të ndërmarra në mënyrë të njëanshme bien ndesh me praktikat më të mira parlamentare europiane të rregulloreve të funksionimit të parlamenteve”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›