E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria, masa të reja për të pasur turizmin malor më të madh në rajon”

19-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha përshëndet Konferencën e V-të Vjetore të Turizmit
 
Qeveria do të marrë masa të reja me qëllim që Shqipëria të ketë turizmin më të madh malor në rajon e më gjerë. Kjo garanci u dha nga vetë Kryeministri Berisha në konferencën e 5-të vjetore të Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA).
Për t’i dhënë një hov të ri turizmit malor, për të cilin vendi ynë ka potenciale të mëdha, kreu i ekzekutivit shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të bërë gjithçka është e mundur për ta kthyer Shqipërinë në një vend tërheqës për këtë lloj turizmi. Por nga ana tjetër Kryeministri kërkoi dhe mbështetjen e agjencive dhe shoqatave që të bëjnë një promovim dinjitoz të resorteve, pasi deri më tani ai ka qenë modest.
Madje në këtë kontekst kreu i mazhorancës falënderoi agjencitë e huaja për promovimin e pasurive tona kombëtare, promovim në të cilat nuk ka munguar krahasimi me pasuritë e mëdha botërore. Në këtë kontekst, kryeministri Sali Berisha kërkoi dje një promovim më të madh të potencialeve turistike të Shqipërisë. “Nuk është bërë sa duhet për promovimin e potencialeve të mëdha të vendit. U detyrohemi shumë disa agjencive të mëdha në botë që e listuan Shqipërinë si destinacionin turistik të vitit. Duhet angazhim për një promovim më të madh për potencialin turistik të vendit”, u shpreh Kryeministri Berisha, duke folur në Konferencën e 5-të vjetore të Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA) ku u bë dhe ndarja e Çmimit të Turizmit Shqiptar 2012.
Kryeministri Berisha e cilësoi si mbresëlënëse rritjen e numrit të turistëve gjatë këtij viti dhe theksoi se një prej arsyeve të rritjes së turistëve është mikpritja e shqiptarëve dhe bukuria mahnitëse e bregdetit të Shqipërisë. “Në një hark kohor të shkurtër nga 2004 deri më sot ardhja turistike në Shqipëri ka njohur një nga rritjet më të mëdha që ndonjë vend ka njohur. Këtë vit erdhën 4 milionë e 100 mijë turistë dhe vizitorë në Shqipëri. Kjo rritje marramendëse ka pasur efekte jashtëzakonisht të rëndësishme në ekonominë e vendit. Është kjo rritje që shndërroi me shpejtësi të madhe turizmin nga një degë e parëndësishme në një ndër degët më kryesore të saj. Kjo rritje e madhe e fluksit turistik dhe në të dhëna të sigurta do njohë rritje të reja lidhet para së gjithash me disa rrethana të veçanta dhe pozitive që Shqipëria iu ofron vizitorëve nga rajoni dhe mbarë bota. Është ekzemplare mikpritja shqiptare që krijon te turistët një ndjenjë kënaqësie, sigurie dhe përcillet si një jehonë në të gjitha shkrimet që bëhen për turizmin”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, “Shqipëria ka ndër panoramat bregdetare dhe malore më mahnitëse në Mesdhe e më gjerë. Nuk ka brigje që të kenë ujërat e Jonit dhe rërën e Adriatikut siç kanë brigjet shqiptare. Por për t’u zbuluar dhe për t’u arritur në kuotat më të larta janë dhe brigjet e liqeneve të Shqipërisë”.
Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të investojë për të zhvilluar më shumë edhe turizmin malor për të bërë të mundur edhe uljen e varfërisë në këto zona.
Natyrisht, vijoi kreu i qeverisë, “turizmi i derisotëm në tërësi është turizëm bregdetar. Ai malor do të jetë turizmi i së ardhmes. Turizmi malor do të jetë më i madhi për vetë sipërfaqen e madhe malore të Shqipërisë. Me disa masa të reja që do të ndërmarrim do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të ketë resortet turistike më të gjera në rajon”. “Qeveria ka bërë shumë përpjekje dhe mund të themi se është investuar shumë në zonat turistike. Shqipëria ka një trashëgimi të pasur kulturore. Rrallë gjen ndonjë vend tjetër ku në një distancë fare të shkurtër të gjesh tre monumente të trashëgimisë botërore kulturore si Butrinti, Gjirokastra e Berati. Çdo vizitor që vjen largohet shumë i pasuruar nga vlerat kulturale. Janë bërë përpjekje serioze që këtyre ritmeve të shpejta të zhvillimit t’u përgjigjemi me përgatitje sa më serioze të vendit”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se, në turizëm Shqipëria ka vendosur standardet më liberale. “Nëse vende të tjera marrin nga turizmi nëpërmjet taksave 5, Shqipëria merr jo më shumë se 2. Kjo ka qenë një politikë e qëllimshme, e vullnetshme”.
Kryeministri foli edhe mbi kërkesën e agjencive turistike për heqjen ose zvogëlimin e TVSH-së për hotelet turistike. “Kjo dhe mund të shihet, por një vend që ka ulur të gjitha taksat, ndoshta më mirë do ishte të lëvizte në disa drejtime të tjera. Sot një nga problemet madhore të tregut lidhet me krahun e punës, fleksibilitetin ndaj tij dhe duhet të shqyrtojmë se cila është më e leverdishme për industrinë e turizmit. Kjo industri punëson direkt 150 mijë punonjës, prandaj duhet parë se cilat janë lehtësimet më me interes për industrinë turistike të vendit”, tha Kryeministri Berisha.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›