Tre “historianë” që kanë humbur logjikën historike
Në përballjen, me rastin e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërmjet historiografisë demokratike objektive dhe asaj të indoktrinuar enveriste, kjo e dyta është pa mbështetje shkencore, me themele të kalbura, të mbartura nga një ideolog megaloman, siç ishte E. Hoxha. Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (1096), e debatuar edhe në seancën e 5-të të AP-së së KE-së (25.01.2006) në Strasburg, për të çmontuar trashëgiminë e regjimeve të mëparshme komuniste totalitare, është shkelur me të dy këmbët nga grafomanët tanë të “historisë”, të një sistemi totalitar të gjunjëzuar në proceset demokratike të dhjetorit, që u kurorëzua me triumfin e demokracisë, në qershor të vitit 1992. U rrëzua diktatura enveriste, por mbeti mendësia e saj!
Vendi ynë pati fatkeqësinë që të mos përfshihej në procesin me përmasa globale të destalinizimit në Europë dhe në të gjitha kontinentet e tjera, me përjashtime sa gishtat e njërës dorë (në vitet 1956-7 dhe në vendimet e Kongresit X të PK(b) të BS). Kjo gjendje përjashtuese u jetësua, me dorë të hekurt e me terror, për të ruajtur karrigen e një stalinisti që vdiq si i tillë, në prill të 1985-s. Enveri mundi ta ruajë stalinizmin në vendin tonë édhe për një periudhë kohorë sa 1/3 e shekullit, kur të gjitha vendet europiane dhe të të gjithë botës (me përjashtim të Kubës dhe të disa vendeve aziatike) e kishin demaskuar regjimin gjakatar të despotit gjeorgjian. Përgjatë 34 viteve, ish-vendet nën zgjedhë të BS, patën njëfarë frymëmarrje relative, me lejimin e disidencës, me rregullimet e mundshme të pronës së ligjshme, me stimulimin e pronës private, me mënjanimin e gjyqeve politike, me kushtet e reja të ngritjes së nivelit të mirëqenies. Vendi ynë kishte hallin e ruajtjes së “parimeve” dhe duhej të ishte krenar që të hante edhe bar për të luftuar imperializmin dhe revizionizmin. U bë autarkik. Përfundimi? Shkaktarit të kësaj gjendjeje katastrofike për të ruajtur një karrige të përgjakshme, iu rrëzua statuja (shkurt 1951) dhe iu hoq zvarrë nëpër rrugët e kryeqytetit. U rrëzua Enveri nga uragani popullor, por jo enverizmi! Kjo do të thotë se historianët e diktaturës vazhduan të na japin leksione enveriste pseudodemokratike duke qenë anakronikë. Pra, duke e përfytyruar veten sikur të ishin në atë kohë, në të cilën kryehistoriani E.H.-a u diktonte aksiomat e historisë. Ndërmjet këtyre ishin edhe budallallëqet për profilizimin e figurës së Haxhi Qamilit, në hiperbolizime groteske. As këtë lajthitje të hapur e të shkoqur, këta nuk ishin në gjendje ta kundërshtonin! Kështu kjo farë historianësh mund të përmendet jo me emra, por me nofka. Atë që është më i etur të dalë në emisione të vazhdueshme mund ta quajmë, pa asnjë mundësi përgënjeshtrimi nga ana e tij, si “enveristi”. Këtë ai nuk është në gjendje ta kundërshtojë, sepse ia ka vënë vetes këtë emërtim kur foton sa një hata të Enver Hoxhës e vuri brenda dikasterit që drejtonte. As që deshi t’ia dinte për ish-të përndjekurit politikë që dita-ditës protestonin pranë ministrisë së tij, për këtë blasfemí. Por erdhi një ditë që zonja Doris Pak, titullare e rëndësishme e BE-së, i vajti në zyrë e i tha: Stop! Dhe titullari, e hoqi idhullin e tij, por pa u turpëruar aspak se kishte rënë ndesh me institucionet e komunitetit europian. Prandaj mund të thuhet se ajo Rezoluta e KE-së së BE-së ka mbetur e pazbatuar vetëm e vetëm për këto huqe të majtizmit ekstremist shqiptar, sido që ky orvatet që t’ua ngarkojë të tjerëve. Njëri ndër postulatet e këtij enveristi të historisë është se “Historia shkruhet një herë por mund të interpretohet në mënyra të ndryshme”. Është një nonsens. Është një ndërkallje e qëllimtë që përmban arsenikun përbrenda fjalisë. Ky helm në këtë frazë është në domethënien se historia u shkrua NJË herë (e përfundimisht) në kohën e kryehistorianit injorant në histori, Enver Hoxhës! Domethënë që Enveristi megaloman i jep të drejtën vetes të caktojë aksiomat historike sipas skemave të çartura të Enverit. (Për sqarim të terminologjisë matematikore të ndonjë lexuesi, shtojmë se aksiomat, në dallím nga teoremat, janë pohime matematike që pranohen pa vërtetim).
Enveristi, shpesh ndodhet i dyzuar: Gjithmonë në pozicionimin e apologjetit, nga njëra anë thotë se është studiues i bindur i luftës n.çlirimtare, nga ana tjetër merret me probleme jashtë kësaj teme: hidhet te Kanali i Korfuzit, që qenka provuar se nuk e paska pasë fajin Enveri për vënien e minave. Por kur A. Baçe i kundërvihet se nuk është kjo që përbën fizionominë e E.H.-s si kriminel, ai i bishtnon temës duke thënë se Enveri ka bërë luftë pa kompromis kundër okupatorëve. Shprehet edhe se “nuk ka krijuar një optikë të saktë dhe përgjigjen do ta japë kur të vijë momenti, pas shfletimit të dokumenteve ekzistuese. Ndërkaq M. Korça, në Replikën nga Amerika tregon hilet dhe mashtrimet e “luftës n.çl.”, që e quante luftë civile vetë shefi politik i Enveristit , E. Rama për qëndrimin ndaj Muharrem Bajraktarit. Inkoherenti Edi Rama dikur luftën antifashiste e quante luftë civile, (“Refl.”, f. 76 etj.), veçanërisht pas Mukjes. Ishte koha kur Edvini sillej si antikomunist, si antienverist, kundër veteranëve që duheshin varur në litar (!) dhe kundër P. Punës, të shndërruar për mbijetesë në P. Socialiste. “Duhej nxjerrë jashtë ligjit” – thoshte ky njeri i pabesueshëm. Kur Enveristi ndihej ngushtë, thoshte: “Për këtë ende nuk kam krijuar një optikë të saktë. Duhet të thellohem akoma në studime për të thënë diçka të saktë. Përgjigjen për të, do ta jap kur të vijë momenti, pas shfletimit të dokumenteve ekzistuese të kohës”. Për këto lloj sqarimesh, kishte bredhur gjer afër Polit të Veriut, sikundër në prag të vdekjes, kur kishte vajtur, “rastësisht” (!) në Amerikë, për ta takuar në fund të jetës Ramizin... Çuditërisht, mbuluesi i gjurmëve të masakrës së Tivarit, tani kishte ndërruar mendim për Safet Butkën dhe për Abas Ermenjin (për mirë, së fundi!), paçka se po t’i kishte në dorë Enveri do t’i ekzekutonte aty për aty! Ndërkaq i paska harxhuar paret më kot ky Enveristi, për të bredhur dynjanë që të merrte informata që t’i quante të gjithë ballistët kolaboracionistë! Edhe ata që e kishin luftuar okupatorin në betejën e Gjormit, si edhe në Kolonjë, në Selenicë, në Mallakastër, në Mokër, në Devoll, në Postribë, në Leskovik, në Elbasan, në Pezë... Edhe ato forca nacionaliste që kishin bërë luftë të përbashkët me partizanët në Voskopojë (16.01.1943), si edhe në Gramsh, në Patos, në Libohovë, në Shënmërí të Kukësit e gjetiu.
Për antikombëtarizmin e Enverit, le ta gjykojnë të tjerët sesi ky i merrte urdhrat nga armiqtë shekullorë të Kombit tonë: Mjafton të citojmë nacionalçlirimtarin Prenk Gruda, të shndërruar në nacionalist kur u bind se kishte ushqyer iluzione të kota për n.çlirimtarët. P. Gruda kishte i kishte bërë studimet në Normalen e Elbasanit. Atje ishte njohur me Shefqet Peçin, e me mjaft nga oficerët madhorë të ardhshëm si me M. Shehun, Gj. Markun, Myzafer Spahon, Dashnor Mamaqin, Tuk Jakovën, Jaho Gjolikun, vrasësin e Miladin Popoviçit, Haki Tahën e të tjerë. Këta takimet e para i bënin me Prenkën kur vinin përtej kufirit, me qëllime të mbrapshta. Me disa P. Gruda e gjente disí gjuhën e përbashkët, sidomos me Myzafer Spahon, me Gjin Mrakun e ndonjë tjetër. Me disa të tjerë pati vetëm grindje, kur iu kujtonte se kishin vajtur andej jo për dëbim të gjermanëve, por për të nënshtruar shqiptarët e atjeshëm, me rastin e largimit të gjermanëve. Në „Ditarin e një zemre të lëndueme“ (f. 484, Tiranë 20 fruer 1946) tregon për takimet në Tiranë me miq të shumtë, ndërmjet të cilëve me prof. Kolë Shirokën. Këtë e ka mik të besës. Gruaja e tij, ruse, përkthyese për gjuhët rusisht e serbisht pranë E. H.-s, i thotë të shoqit në mirëbesim, me njëqind porosi për të ruajtur sekretin për çka kishte sajuar Beogradi kundër klerit katolik: -“Mbas vrasjes së patër Anton Harapit, ambasadori jugosllav ka shkue për vizitë zyrtare te E.H.-a. Në bisedë e sipër, Enveri asht mburrë për zhdukjen e Harapit. Ambasadori i ka thanë si i gjithë kleri katolik shqiptar asht Pater Antona. – Kam porosi të shpejtë rezervate prej Beogradit, qi me çdo mjet, duhet me i likuidue të gjithë, sa ma parë. Ata janë të lidhun me Vatikanin, me atë çerdhe spiunazhit të kapitalistave imperialista”. Kah më bisedoi Kola për ket katastrofë, qi dashka me na kapërthye, të dyve na shpërthyen lotët, jo nga ligështia, po për këto kushte kaq tragjike për Shqipninë (…). Pse Enveri pranon me u ba vegël serbe kundër shqiptarëve? Ma në fund, pse komunistat serbë nuk e hjekin qafet klerin e tyne, qi gjatë luftës përgjithësisht ka qenë me çetnikët?”. A mund të tregojë një rast të vetëm ai Enveristi, që Ahmet Zogu I t’i merrte urdhrat nga një shtetar tjetër?
***
Kjo pyetje mund t’i drejtohet një “historianit” tjetër të të dy sistemeve, të cilit i ka mbetur ora te konti Galeaco Çiano. Çiano ishte një aventurier i cili u pushkatua në mënyrë të turpshme nga prapa krahësh, i lidhur në karrigen e tradhtarit. As vjehrri, Musolini, as e bija e këtij Eda, nuk e shpëtuan dot nga ky “de profundis” i turpshëm. Edhe ky “historian” i dytë meriton një nofkë: “Alias Çiano”. Ky Alias Çiano në të gjitha kundërvëniet ndaj personit të Ahmet Zogut I, citon vetëm “ditarët e Çianos”. Alias Çiano duket se nuk ka lexuar asgjë më tepër se këta ditarë. Duhet, kështu, që të vazhdojmë me citimet: “Ish-zëvendësi i Mbretit në Shqipëri, Françesko Jakomoni, në një studim të botuar në “Revistën e studimeve politike ndërkombëtare”, me titullin “Pakti i parë i Tiranës”, (1926) pohon se pakti i fshehtë përmbante “një klauzolë që kishte shkaktuar shqetësime të rënda në ministrinë tonë të Jashtme: ishte ajo pjesë e paktit në të cilën shkruhej se, në rast lufte, nuk do të bëheshin marrëveshje paqeje, që të mos merrnin në konsideratë fatet e të gjithë popullatave të gjuhës shqipe. *) A. XX (1953), n. 2 Aleksandër Lesona)”. Citojmë, për Alias Çianon edhé: “Dhe mendoj se ngjarjet, - në të cilat nuk kam qenë vetë dëshmitar, por m’i kanë përcjellë njerëz të përgjegjshëm, - ngjarje të cilat çuan në rënien e Çianos, për fat të keq, janë në ngarkim të politikës që ka bërë Galeaco Çiano përkundrejt Zogut, më shumë se nga mungesa e ndershmërisë nga ana e këtij të fundit (Aleksandër Lesona). Edhe një citim i tretë, që të bindet se është në rolin e të mbyturit që mbahet nga fija e kashtës: “Dyshimi i tratativave të fshehta ndërmjet Zogut dhe Jugosllavisë u tregua i pathemeltë, ashtu siç i kisha pas thënë unë Musolinit, ndonëse nuk më besuan në atë kohë. (Aleksandër Lesona)”. Që të paralizohet Aliasi për gafat e tij të njëpasnjëshme, mund të jepen citime të tjera të shumta si ky: “Vetëm kur i flisja për irredentizmin e tij, Zogu ngashërehej për vëllezërit e tij jashtë kufijve dhe zbutej në vrazhdësinë e tij, për të na u kundërvënë”. Një gazete i është dukur ky shkrim i Lesonës aq interesant, sa ai organ i shtypit e kishte botuar tërësisht në faqet e saj. Por Aliasi i binte fyellit vazhdimisht në një vrimë...
***
Dhjetëvjetëshi ’28 -‘38 krijoi një shtet dinjitoz të së drejtës nga asgjëja. Vetëm një shembull: Beut të Starovës iu hodh poshtë padia dhe u vendos juridikisht në favor të fshatarëve të Starovës nga Diktimi (Gjykata e Lartë). Këtë e drejtonte i paqortueshmi Thoma Orollogai, ai të cilin gjashtëshja e n.çlirimtares në Mukje e kishte propozuar të drejtonte seancat. Pastaj, me të mbaruar lufta regjimi i ri e pushkatoi! Gjykatat në atë kohë kishin dinjitetin e tyre. Dhjetëvjetëshi ’28 – ’38 pati vetëm një gjyq politik, me vendime fare të lehta, në të cilin të pandehurit bënë edhe propagandë komuniste brenda gjyqit. Dënimet me vdekje (le të marrim atë të Fierit) faleshin tërësisht për të pandehurit civilë dhe historiografia komuniste “i shpjegon” këto falje me trysninë ndërkombëtare(!). Por nuk shkon edhe pak më tej, për shembull, në rastin e Fierit, kur – pas tre muajsh - edhe të tjerët, qofshin edhe ata të cilëve ndëshkimi kapital iu shndërrua në një dënim të përjetshëm, u falën tërësisht e dolën të gjithë nga burgu...(edhe këtu ndikoi trysnia ndërkombëtare?!). I treti meriton nofkën për mosdallimin ndërmjet personazheve politikë dhe protagonistëve të së keqes. Si mund ta përkufizojmë në një fjalë? Ndonëse jo shumë e goditur: “Protagonisti” me domethënien “protagonisti i së keqes”. Përkundrejt personazheve të denjë historikë, Josè Ruizi, rreshton protagonistët e së keqes, duke filluar me Hitlerin, Stalinin dhe me Rasputinin. Këtu hyjnë mjaft protasgonistë të së keqes, duke përfshirë edhe Markezin de Sade, nga i cili është përftuar fjala “sadizëm”. Hyjnë, natyrisht edhe Neroni, Kaligula, Xhençis Khani Çaushesku, Pol Poti, Millosheviçi, Osama Bin Ladeni, 70 protagonistë të së keqes, gjithsej! Gjithçka i bashkon këta të tre, është që, nëse vihet një statujë e Zogut, u dashka vënë edhe një e tillë e Enverit! Nuk e kuptojnë pyetjen: Sa statuja ka pasur Enveri? Kush është glorifikuar, pra, Zogu apo Enveri?