E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria merr kredi të re për të shlyer kredinë me interes të lartë

Autori i Lajmit: Redaksia

Ministria e Financave, njofton mbylljen e fazës së parë të procesit të emetimit të Eurobonos, që konsiston në marrjen e ofertave nga institucionet financiare ndërkombëtare. Konfirmohet se 15 banka prestigjioze ndërkombëtare me aktivitet të zgjeruar në tregun e kapitaleve kanë paraqitur ofertat e tyre, të cilat do të vlerësohen nga ministria, për të listuar 4-5 ofertat më të mira, të cilat do të vazhdojnë më tej konkurrimin. Bëhet fjalë për marrjen e një kredie prej 300 milionë euro, në formën e eurobondit. Dyqind milionë euro nga kjo shumë do të përdoren për të shlyer kredinë tregtare e marrë një vit më parë nga qeveria, me norma të larta interesi prej 13 për qind. Procesi i emetimit të eurobonos së parë të Shqipërisë, si procesi më i rëndësishëm ndonjëherë i operacioneve të huamarrjes publike, startoi në fillim të janarit me publikimin e kërkesave për ofertë nga ministria e Financave. Institucionet konkurruese patën afat deri në datën 5 shkurt për të sjellë ofertat e tyre. Ministria e Financave thotë se synon të përfundojë procesin e emetimit brenda muajit maj, kohë që korrespondon edhe me plotësimin e vitit të parë të kredisë sindikale të marrë gjatë 2009.

Ky lajm është publikuar: 07/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›