Shmangen radhët Përfundon greva e doganierëve grekë, rihapen pikat e kalimit
Autori i Lajmit: Redaksia
Doganierët grekë kanë përfunduar grevën e nisur dy ditë më parë, duke mundësuar në këtë mënyrë kalimin normal të automjeteve në të gjitha pikat kufitare në jug të vendit tonë. Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Gjirokastrës, sipas të cilave aktualisht qarkullimi i automjeteve dhe i këmbësorëve po kryhet pa asnjë problem në të dyja anët e kufirit të jugut. Për shkak të grevës që doganierët grekë zhvilluan prej dy ditësh, pikat e kalimit kufitar të Kakavijë, Tri Urat në Çarshovë si dhe pika e Sopikut, që prej datës orës 6.00 të datës 04.02.2010, deri në të njëjtën orë të ditës së djeshme nuk kanë funksionuar për automjetet. Nuk është lejuar kalimi përmes tyre, as i kamionëve, as i autoveturave apo autobusëve, por janë lejuar të kalojnë vetëm këmbësorët. Greva e doganierëve grekë u realizua pasi ata nuk ishin të kënaqur me pagat e tyre. Pikërisht dy ditë më parë kur nisi dhe greva policia greke bëri të mundur arrestimin e dhjetë doganierëve grekë, të cilët dyshohet se u merrnin ryshfet shoferëve të kamionëve shqiptarë dhe i kalonin ata duke i regjistruar bosh, ndërsa kamionët kalonin me mall kontrabandë. Një hetim i tillë ka nisur që prej 4 vitesh, ndërsa gjatë kësaj kohe, sipas hetuesve grekë, kaluan pa zhdoganim 16 mijë kamionë. Vetëm dje prokuroria ka nxjerrë dhe një shifër të përafërt të evazionit fiskal. Prokuroria e Janinës bëri me dije se dëmi që doganierët i kanë shkaktuar shtetit grek kap shifrën e 15 milionë eurove. Sindikata e doganierëve nuk e ka pranuar këtë hetim, duke e cilësuar si reagim, pas protestave të doganierëve grekë për rritje pagash.
Ky lajm është publikuar: 07/02/2010