Ersekë, polici vetëplagoset me armën e shërbimit
Autori i Lajmit: Redaksia
Një efektiv i policisë së Korçës është vetëplagosur me armën e punës në rrethana aksidentale gjatë natës të së premtes, duke u gdhirë e shtunë. Sipas burimeve zyrtare mësohet se 44-vjeçari Dervish Meko, ka qëlluar veten me armë në banesën e tij, ndërsa në atë moment në shtëpi ndodhej gruaja dhe fëmija i tyre. Bashkëshortja e viktimës, i ka thënë policisë së Korçës se burri i saj ishte kthyer nga puna dhe pa thënë asnjë fjalë është mbyllur në dhomë. Sipas saj, pa kaluar shumë ka dëgjuar dhe krismën e armës. Gruaja e efektivit të policisë ka thënë gjatë dëshmisë së saj se i shoqi nuk ka pasur mosmarrëveshje apo konflikte qoftë në punë apo edhe me persona të tjerë. Nga dëshmia e parë e bashkëshortes, por dhe të tjerë të afërm të policit të kufirit, kanë çuar policinë në pistën e parë, atë të vetëplagosjes aksidentale. Sipas policisë së Korçës, ka shumë mundësi që punonjësi i policisë të ketë qenë duke u marrë me armën e shërbimit, duke e pastruar, apo ndonjë veprim tjetër rutinë, dhe pa dashje arma mund ti jetë shkrepur. Kështu policia ka ndërtuar dhe njëherë mekanizmin e ngjarjes, duke marrë dhe të dhënat nga vendngjarja. Por ekziston dhe një pistë tjetër, e cila është ajo e vetëvrasjes në tentativë. Por, për të dhënë detaje të tjera pritet që gjendja e policit të përmirësohet. Ku dhe do të merret dhe dëshmia e tij në lidhje me ngjarjen. Pas trajtimit në urgjencën e spitalit të Ersekës dhe më pas në Korçë, efektivi i policisë është dërguar në Spitalin ushtarak të Tiranës për mjekim nga plagët e marra. Mjekët kanë dhënë shpresa për jetën e tij, duke treguar se plumbi nuk ka dëmtuar organe jetësore.
Ky lajm është publikuar: 07/02/2010