E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Nuk na trembin kërcënimet e Ramës

Autori i Lajmit: Redaksia
Selia blu i është kundërpërgjigjur me akuza kryetarit të selisë rozë, që ka folur dje nga Durrësi dhe po ashtu, të deputetëve të tij mbështetës në Tiranë. Partia Demokratike theksoi dje se nuk ka frikë nga paralajmrimet për protesta të opozitës, ndërsa shtoi se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama po e lexon kokëposhtë rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. “Jam sot përpara jush për të denoncuar leximin kokëposhtë të Rezolutës të Këshillit të Europës nga Edvin Kristaq Rama në një kohë kur qeveria ka pranuar pikë për pikë rezolutën, ka pranuar dhe është deklaruar e gatshme për të vendosur dialogun rreth zbatimit të saj dhe rikonfirmon gatishmerinë për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar”, - tha deputeti Bumçi. Ai shtoi se të gjithë këtyre, z. Rama i është përgjigjur me kërcënime bajate për protesta dhe kërkesën antiligjore dhe anti-kushtetuese të rinumërimit të votave, pasi gjykata ka vendosur të kundërtën e kësaj kërkese. “Me qëndrimet e tij, z. Rama dëshmon se po bën çdo gjë që të djegë mandatet e grupit Socialist, po dëshmon se mentaliteti i etërve të tij shpirtëror dhe biologjik dhe jo parimet e të drejtës dhe shtetit ligjor janë frymëzim i tij”, u shpreh Aldo Bumçi. “Jam sot këtu për ti deklaruar z. Rama, që vetë kercënon për protesta dhe leitnantët i nxjerr për të kërkuar llokma pushteti, se thirrjet për protesta mund të mallëngjejnë Takun dhe Nardin; mund të mashtrojnë ndonjë gazetar presidiumesh, por nuk mund ti imponosh kësaj maxhorance as edhe gjënë më të vogël që bie ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi”, nënvizoi ai. Nga ana tjetër, gjatë një interviste për “Top Channel”, Berisha ka sqaruar se nuk është ai që pengon hapjen e kutive, por është Kushtetuta dhe ligjet, të cilat nuk do të shkelen në asnjë rast. "Rama thotë e njoh rezultatin por të hapen kutitë, kjo është e pamundur. Është e pamundur që të pranojë vlerësim politik për një çështje që e kanë ndaluar gjykatat. Ato thonë se nuk ka rinumërim pa kundërshtim gjatë procesit. Une nuk e kundershtoj per asgje tjeter pervec asaj qe eshte e pamundur, asaj gjeje qe e kane vendosur gjykatat", - tha Berisha. Ai është shprehur i gatshëm të zbatojë pikë për pikë rezolutën e KiE-së dhe shton se mesazhi i saj është i qartë. Duke pranuar se është i interesuar të shohë opozitën në parlament, Berisha ka thënë se ajo është e litë të zhvillojë protesta, të cilat nuk i konsideron si presion ndaj tij.

Ky lajm është publikuar: 07/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›