“Hetuesit, pikat e draftit të kundërshtuara nga Prokuroria
Autori i Lajmit: Redaksia
Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri janë përfshirë në një “debat” lidhur me ndryshimet në ligjin “për policinë gjyqësore”.
Drafti është ende në fazën e diskutimit dhe hartimit në Ministrinë e Drejtësisë, e cila gjatë këtyre ditëve ka zhvilluar disa debate me përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme, për ndryshimet që do të bëhen në ligj. Sipas burimeve zyrtare, dy ministritë e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë, po kërkojnë shkrirjen e sektorëve të hetimit në Prokuroritë e Shkallës së Parë në Tiranë dhe në rrethe.
Propozimet
Sipas propozimeve të përfaqësuesve të Ekzekutivit, sektorët e hetimit në Prokurori duhet të shkrihen për të funksionuar vetëm në Policinë e Shtetit. Aktualisht prokuroria ka kryer një riorganizim të nisur dy vitet e fundit, duke ndarë në disa linja hetimin, sipas natyrës së dosjeve. Vrasjet, plagosjet, krimet kundër jetës dhe shëndetit hetohen nga një sektor më vete. Po kështu krimet financiare, korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës kanë një sektor të veçantë me hetues dhe prokurorë të specializuar në këtë fushë. Më tej sektorët e tjerë sipas natyrës së dosjeve që hetojnë, janë ndarë në krimin e organizuar, që heton kryesisht trafikun e drogës, trafikun e prostitucionit, klandestinët dhe një sërë veprash të ngjashme. Një tjetër sektor është ai i krimeve kundër pronës që heton kryesisht vjedhjet. Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë po kërkojnë që në ligjin e ri, të gjithë këta sektorë të ngritur në Prokurori të shkrihen për të kaluar në polici. Sipas propozimeve të bëra nga dy ministritë, sektorët në fjalë duhet të mbeten por të funksionojnë vetëm në polici ndërsa prokuroria duhet të ketë një organizim të centralizuar, pa oficerë të policisë gjyqësore dhe me prokurorë të vendosur në një trupë të përbashkët që hetojnë materialet e referuara nga policia. Një propozim i tillë është kundërshtuar gjatë të gjitha diskutimeve nga përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme.
Hetimi
Ata janë dakord që hetimi i dosjeve të bëhet në polici ndërsa kontrolli i hetimit të vazhdojë në Prokurori sipas kushtetutës, por nuk pranojnë “shkrirjen” e sektorëve të hetimit që përbëhen nga oficerët e policisë gjyqësore në Prokurori. Debati mbi ndryshimet në ligjin “për policinë gjyqësore” po ndiqet me vëmendje nga misionet e huaja të asistencës, PAMECA, OPDAT, ICITAP dhe Euralius.
Ky lajm është publikuar: 07/02/2010