E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton 8 kapituj të pyetjeve të Komisionit Evropian

26/02/2010 Komiteti Ndërministror i Integrimit shqyrton procesin e përgjigjes së pyetësorit

Komiteti Ndërministror për Integrimin ka marrë në shqyrtim dhe ka miratuar në mbledhjen e djeshme tetë kapituj të tjerë të pyetësorit të Komisionit Evropian, përmes të cilit shteti shqiptar rrëfen ç’ka bërë deri tani në funksion të integrimit në BE. Këta kapituj lidhen me çështje të politikave të konkurrencës, shërbimet financiare, bujqësinë dhe zhvillimin rural, politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit, statistikat, shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe politikën e jashtme të sigurisë dhe mbrojtjes. Gjatë mbledhjes së KNI-së Kryeministri Sali Berisha, i cili drejton këtë organ, ka kërkuar nga të gjitha institucionet që janë të detyruara të përgjigjen, të jenë më përmbledhëse në përgjigjet që u jepen pyetjeve të pyetësorit të KE-së. “Çka unë do t’u kërkoja është të shqyrtoni edhe një herë mundësinë e të qenit më të përmbledhur. Unë e kuptoj dëshirën tuaj për të qenë konsumues total në përgjigjet që jepni, çka është normale për të konsumuar tërësisht materien. Po në rast se përcaktoni edhe këtë kriter, do të bëjmë që të tjerët ta lexojnë me kënaqësi”, ka deklaruar kreu i Qeverisë. Berisha tha se ky është një proces jashtëzakonisht i dobishëm për vendin. Në këta tetë kapituj përfshihen në total rreth 367 pyetje, për përgjigjet e të cilave kanë punuar 350 punonjës. Me miratimin e këtyre kapitujve bëhen 15 kapituj të miratuar e rrjedhimisht të përfunduar nga institucionet shqiptare, ndërkohë që gjithsej janë 35 të tillë. Deri tani janë mbi 620 pyetje që kanë gjetur përgjigje, nga mbi 2200 të paraqitura nga KE-ja. Pas miratimi të kapitujve në mbledhjen e KNI-së, dy janë aspektet më të rëndësishme: përkthimi në anglisht dhe kontrolli i përkthimit. Por procesi i përkthimit të këtyre kapitujve do të ecë paralelisht me dhënien e përgjigjeve të kapitujve të tjerë, në mënyrë që të mos ketë vonesa në proces. Gjatë mbledhjes ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e cila është caktuar të ndjekë nga afër procesin e përgatitjeve të përgjigjeve, ka dhënë detaje teknike për secilin nga kapitujt e përfunduar tashmë. Ministrja informoi se deri tani janë shqyrtuar përgjigjet e 29 kapitujve të pyetësorit të Komisionit Evropian, ose 83% të kapitujve, që përmbajnë 1480 përgjigje. Ajo tha se në Ministrinë që drejton është zhvilluar një takim me të gjithë përkthyesit të angazhuar në procesin e përkthimit, ku u ritheksua rëndësia e një përkthimi cilësor, duke respektuar terminologjinë teknike, si dhe terminologjinë e Brukselit apo të BE-së.

Pyetësori

Ambasadori i KE-së në Tiranë Helmut Lohan i ka dorëzuar Kryeministrit Sali Berisha pyetësorin më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Qeveria shqiptare kërkoi rreth katër muaj kohë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të drejtuara nga Brukseli. Rëndësi të veçantë në këtë pyetësor kanë kriteret politike, funksionimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjeve apo shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimi i të drejtave të minoriteteve. Gjithashtu vëmendje i kushtohet edhe problematikës së pronave në Shqipëri. Vetë KE-ja përmes ekspertëve të saj do t’i analizojë me kujdes përgjigjet që do të jepen dhe do të përpiqet të bëjë një vlerësim të ecurisë së procesit. Dhënia e përgjigjeve të pyetësorit pritet t’i hapë rrugë shqyrtimit të kërkesës së Qeverisë shqiptare për statusin e vendit kandidat në BE.

Detaje mbi 8 kapitujt e miratuar

Kapitulli 8, që ka të bëjë me politikat e konkurrencës, është koordinuar nga Autoriteti i Konkurrencës. Në këtë kapitull kanë kontribuar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit; Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Ministria e Shëndetësisë. Është një kapitull me 49 pyetje dhe trajton tri tema kryesore: rregullat e konkurrencës, ndihmën shtetërore, liberalizmin e prodhimit dhe të shërbimeve.

Kapitulli 9, lidhet me shërbimet financiare, është koordinuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ky kapitull përmban 92 pyetje, të cilat përqendrohen në dy tema kryesore: bankat, grupimet financiare e sigurimet dhe pensionet profesionale.

Kapitulli 11, bujqësia dhe zhvillimi rural, një nga kapitujt më të rëndësishëm, i koordinuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në këtë kapitull kanë kontribuar Ministria e Mjedisit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe INSTAT-i. Janë zhvilluar gjithsej 5 takime të grupeve të punës. Ky kapitull përmban 26 pyetje, të cilat trajtojnë përgjithësisht çështje të lidhura me politikat e zhvillimit rural, cilësinë e tyre, politikat rajonale, kombëtare në ekonominë bujqësore, sikurse trajtohen dhe një sërë rregullash të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo shtet anëtar apo kandidat anëtar për në BE, të cilat janë esenciale për politikën e përbashkët bujqësore.

Kapitulli 12, flet për politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitet, u koordinua nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Edhe në këtë kapitull kanë kontribuar Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mjedisit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe institucione të tjera të varësisë. Janë zhvilluar gjithsej 8 takime të grupeve të punës. Kapitulli përmban 57 pyetje, të cilat trajtojnë çështje sensitive të sistemit të sigurisë ushqimore, si dhe ushqimeve për kafshë, implementimin dhe politikëbërjen për të garantuar mbulimin e të gjithë zinxhirit ushqimor, si dhe politikat e legjislacionin për ushqimet, organin përgjegjës për to. Ky kapitull pasqyron qëndrimin e njësuar të BE-së, që synon një nivel më të lartë të shëndetit publik, shëndetin e njerëzve, të bimëve dhe të kafshëve, si dhe monitorimin e përshtatshëm për të siguruar ndërkaq një funksionim efektiv të tregut të brendshëm.

Kapitulli 18, statistika, i koordinuar nga INSTAT. Në këtë kapitull kontributor ka qenë Banka e Shqipërisë. Kapitulli ka vetëm 3 pyetje. Kjo nuk do të thotë që INSTAT-i ka pasur pak punë, pasi modulet që janë përcaktuar nga ata dhe mënyra e referimit për të njësuar të dhënat, sigurisht që ka qenë jo vetëm për ta e rëndësishme, por edhe një nga pikat kryesore të diskutuara në takimet tona të herëpashershme. Çfarëdo lloj informacioni, i përfshirë në këtë kapitull dhe në kapituj të tjerë, ku kërkohet zbatimi i një indikatori matës, është bërë sipas standardeve të Eurostatit.

Kapitulli 25, flet për shkencën dhe kërkimin, u koordinua nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka 34 pyetje. Në të kanë kontribuar edhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Akademia e Shkencave. Ky kapitull përqendrohet mbi politikat e shtetit shqiptar për shkencën dhe kërkimin shkencor, duke përfshirë infrastrukturën kërkimore, programet e përbashkëta, mbështetjen për shkencëtarët shqiptarë dhe shkëmbimin e informacionit.

Kapitulli 26, arsimi dhe kultura, i koordinuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me 54 pyetje, të cilat përqendrohen në dy drejtime: në sistemin arsimor, reformat përkatëse, kurrikulat, financimin e sistemit arsimor dhe politika shtetërore për të rinjtë, duke përfshirë punën për të rinjtë, promovimin e talenteve, të përfshira në programet e BE-së për të rinjtë.

Kapitulli 31, ka të bëjë me politikën e jashtme të sigurisë dhe mbrojtjes, u koordinua nga Ministria e Punëve të Jashtme. Kapitulli ka 52 pyetje dhe në të kanë qenë kontributorë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Pyetjet e kapitullit kanë të bëjnë me dialogun politik, qëndrimet e përbashkëta në politikën e jashtme, strategjinë politike, si dhe kapacitetet në menaxhimin e krizave, duke përfshirë dhe ato ushtarake.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›