E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton Planin Kombëtar të Veprimit për Dekadën e Përfshirjes së Romëve dhe Egjiptianëve 2010-2015

 Këshilli i Ministrave miratoi sot Planin Kombëtar të Veprimit për Dekadën e Përfshirjes së Romëve dhe Egjiptianëve 2010-2015, që, siç e theksoi Kryeministri Berisha, synon të ndryshojë jetën e romëve dhe egjiptianëve.

“Qeveria, -tha Kryeministri - do të ketë të njëjtin trajtim për të dyja këto komunitete në përpjekjet e saj, për një ndryshim të madh pozitiv të jetës së tyre, për luftën kundër varfërisë, për strehimin, punësimin dhe shkollimin e tyre. Disa përpjekje janë bërë veçanërisht në fushën e strehimit, por është e domosdoshme që të bëhen përpjekje të tjera të mëdha.”

Kryeministri Berisha tha se qeveria do të fuqizojë sistemin e mikrokreditimit në ndihmë bizneseve sociale dhe familjeve në nevojë, duke sjellë në Shqipëri fondacionin Grameen, si modeli më i suksesshëm në këtë drejtim.    

“Ne shpresojmë që së shpejti Grameen, banka dhe fondacioni që udhëhiqet nga nobelisti Yunus, të fillojë veprimtarinë në Shqipëri. Nobelisti Yunus u bë babai i mikrokreditit të suksesshëm në botë. Në një takim që pata në New York dhe më pas, me një korrespondencë bilaterale kemi rënë dakord që fondacioni i tij të ketë një veprimtari të ngjeshur në vendin tonë, e cila do të konsistojë në mikrokreditë në zonat e varfra, për familjet e varfra, gratë e veja, për bizneset sociale në këto zona. Në këtë drejtim, ne mund të angazhojmë sistemin e tij, që është sistemi më i suksesshëm deri më sot, për të bërë të mundur të ndryshohet sa më shpejt dhe më me eficencë jeta e komunitetit rom dhe egjiptian. Në këto komunitete varfëria është disa herë më e thellë, sesa në komunitetet korresponduese jo shqiptare, jo rome dhe jo egjiptiane. Ndaj luftën kundër varfërisë ne do ta përqendrojmë tek këto komunitetet, në mënyrë që të dalin nga mjerimi familjet që jetojnë në mjerim,” u shpreh Kryeministri.


28/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›