E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton fondin prej 100 milionë lekësh për mobilimin e ministrive

Ministrat e rinj kërkojnë ndryshimin e arredimit të zyrave. Blerja e orendive do të bëhet nga Ministria e Brendshme

Eljona Ballhysa
Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme një fond prej gati 100 milionë lekësh të rinj për blerjen e mobilieve të reja për ministri të ndryshme. Propozimi për këtë fond është bërë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Kjo praktikë është e njohur tani në Shqipëri dhe zbatohet rregullisht pothuajse çdo katër vjet. Ministrat e rinj, sapo marrin në duar çelësat e zyrës së re, mënyra e parë për të bërë para shpejt është mobilimi i zyrës me orendi të reja. Këto mobilie, në rastin më të keq, janë blerë para katër vitesh, ndërsa në rastin më të mirë janë blerë gjatë mandatit të ministrit paraardhës. Megjithëse këto orendi janë shfrytëzuar maksimumi 4 vjet, gjithsesi, titullarët e institucioneve kërkojnë zëvendësimin e tyre me të reja sipas shijeve personale. Fondi prej gati 100 milionë lekësh përfshin zërin e blerjes së orendive dhe pajisjeve të ndryshme për zyrat e Kryeministrisë, ministrive, agjencive dhe institucioneve në varësi të tyre. Ky vendim do të zbatohet nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.
Vendimi
Qeveria vendosi lejimin e kryerjes së prokurimeve me procedurë të hapur për blerje orendish dhe pajisje zyrash për llogari të Kryeministrisë, ministrive e institucioneve në varësi të tyre. “Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të Nenit 75, të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006, ‘Për prokurimin publik’, të ndryshuar, dhe të Nenit 9, të Ligjit Nr. 10025, datë 27.11.2008, ‘Për buxhetin e vitit 2009’, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi: Lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit të Prokurimeve të Përqendruara, në Ministrinë e Brendshme, të kryejë prokurimet, me ‘Procedurë të hapur’, me objekt ‘Blerje orendish dhe pajisje zyrash’, për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve në varësi të tyre. Fondet limit për kryerjen e prokurimeve, prej 95 076 683 (nëntëdhjetë e pesë milionë e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tre) lekësh, për blerje orendish dhe pajisje zyrash, për llogari të Kryeministrisë, ministrive e institucioneve, në varësi të tyre”, - parashikon vendimi i Këshillit të Ministrave.
Në këtë vendim parashikohet dhe një tjetër fond prej gati 10 milionë lekësh për krijimin e programit për regjistrin kombëtar të adresave. “Fondi prej 9 999 720 (nëntë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e njëzet) lekësh, për krijimin e programit për regjistrin kombëtar të adresave, GIS, pa tvsh, të përballohen nga buxhetet përkatëse, të vitit 2009, miratuar për autoritetet kontraktuese, të përfshira në këto procedura”, - parashikohet në vendimin e qeverisë, që hyn në fuqi menjëherë.
Kuvendi
Gjatë mbledhjes së djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi një fond prej rreth 12 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve elektronike për institucionet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. “Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të Nenit 75, të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006, ‘Për prokurimin publik’, të ndryshuar, dhe të Nenit 9, të Ligjit Nr. 10025, datë 27.11.2008, ‘Për buxhetin e vitit 2009’, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi: Lejimin e Kuvendit të Shqipërisë të kryejë procedurën e prokurimit ‘Procedurë e hapur’, me objekt ‘Blerje pajisjesh elektronike për nevojat e Kuvendit’. Fondi limit për blerje pajisjesh elektronike, prej 12 500 000 (dymbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2009, zëri ‘Shpenzime kapitale’, miratuar për Kuvendin”, - parashikohet në vendimin e qeverisë.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›