E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rrugën Qafë Rrenas – Labinot Mal

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve të rrugës Qafë Rrenas – Labinot Mal, me gjatësi 8 kilometra dhe një investim me vlerë 70 milion lekë. Rruga u vjen në ndihmë banorëve të pesë komunave, duke ndikuar veçanërisht në zhvillimin e tregtisë dhe turizmit malor. 

Duke përgëzuar banorët e kësaj zone për zhvillimin e bujqësisë, Kryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi i kësaj rruge do të lidhë tregun e tyre me tregun e Elbasanit dhe shumë shpejtë me tregun e Tiranës, pas përfundimit të tunelit dhe autostradës Tiranë – Elbasan.

Kryeministri Berisha siguroi kryetarin e komunës Labinot Mal se qeveria do të mbështesë çdo projekt, si dhe kërkoi që të ndërmerret një nismë për shumëfishimin e drurëve frutorë.

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur banorë të komunës Labinot Mal,

Zonja e zotërinj,

Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe me shumë mirënjohje ju falënderoj për këtë pritje kaq të përzemërt. Nga ana tjetër, dua t’ju siguroj për respektin tim të madh, për dashurinë time të madhe për secilin prej jush, banorë të kësaj komune. Rrugës për të ardhur këtu, duke soditur tokat tuaja, shtëpitë tuaja, arat, gardhet, livadhet, të mbushet zemra me frymëzim të madh, me krenari të veçantë për secilin prej jush, gra e burra punëtorë, të ndershëm e që ndërtoni jetën dhe bëni gjithçka për ta pasur atë më të mirë.

Sot kam ardhur këtu për të inauguruar së bashku me ju rrugën, e cila ju lidh juve me Elbasanin dhe më tutje me Tiranën. Gëzohem shumë që ne e inauguruam sot këtë rrugë. Rruga është zhvillim, rruga është mundësi e madhe, rruga hap tregjet drejt Elbasanit dhe së shpejti, pas përfundimit të tunelit dhe autostradës Tiranë – Elbasan, hap edhe tregjet drejt Tiranës për prodhimet tuaja, ndër më të mrekullueshmet në Shqipëri dhe në Europë. Rruga bën, gjithashtu, që ju të përballoni më me sukses të gjitha nevojat dhe problemet e jetesës në këtë zonë. Sikundër, rruga hap zonën tuaj të mrekullueshme, çatinë e Elbasanit, për turistë nga Elbasani, nga Shqipëria dhe nga e mbarë bota.

Zoti kryetar i komunës,

Unë jam këtu për t’ju garantuar ju, por dhe gjithsecilin nga këto gra e këta burra në këtë shesh, si dhe të gjithë banorët e komunës Labinot Mal dhe komunave të tjera në këtë zonë se për mua e për qeverinë time, ju, qytetaret e qytetarët e këtij vendi të Labinonit, të Rrenës, të Dibrës, të Përmetit, të Frashërit, të Mokrës, të Lekbibajt dhe të mbarë Shqipërisë, jeni dhe do të jeni në krye të axhendës, të krye të rendit të ditës, të krye të punëve të qeverisë sime. Para jush, para shqiptarëve, kam një zotim: të ndërtojmë infrastrukturën në çdo fshat, në çdo komunë, të njëjtë me lagjet e qyteteve. Dhe ju sot keni një rrugë të asfaltuar, e cila fatkeqësisht mungon në shumë e shumë lagje të Tiranës. Por kryetari i ri është zotuar se qytetarët janë të parët dhe do t’i zgjidhe problemet. Ju sot keni një shkollë, në të cilën fëmijët tuaj ulen në banka dhe kanë internetin njëlloj si në Elbasan, si në Tiranë, si në Londër, si në Paris, si në çdo vend të zhvilluar të botës.

Zoti kryetar,

Unë jam këtu për t'u dhënë fjalën këtyre burrave dhe grave të Labinotit se qeveria çdo projekt tendin dhe çdo projekt që do të hartoni bashkë me ta dhe këshillin e komunës, do ta miratojë për t’jua bërë jetën më të mirë. Nga rruga që u ndërtua përfitojnë fshatrat Lukaxhi, Shmil, Qafe, Gur i Zi dhe Labinot Mal, por sërish kemi fshatra të tjerë, të cilët i kemi pa rrugë, madje kemi dhe Komuna, siç është Rrena. Madje unë dua t’i përshëndes banorët e atyre zonave dhe dua t’i garantoj se ata do të kenë rrugën e tyre. Zoti kryetar i komunës Rrenas, dua të mi përshëndesësh ata banorë dhe të jap fjalën se deri sa të ndërtohet, ajo rrugë nuk do të dalë kurrë nga mendja ime. Sikundër do të bëj gjithçka që të keni furnizimin më të mirë me ujë dhe do të ndërtojmë sisteme të vaditjes më moderne që ekzistojnë.

Ju jeni në një lartësi të madhe dhe natyrisht perspektiva turistike është e madhe. Të gjithë ata që do të investojnë në zonat turistike malore do të përjashtohen nga taksat për tetë vjet. Por nga ana tjetër, ju bëj thirrje të shumëfishojmë drurët frutorë. Nuk ka vend në Shqipëri apo gjetiu që t’i ketë frutat më të shijshme se zona juaj. Tek po vija këtu, rruga nga njëra anë ishte me hardhi, nga ana tjetër gardh ferrash. Zoti kryetar, le të ndërmarrim një nismë, të mbjellim e të shumëfishojmë drurët frutorë. Aty ku janë ferra le të ngremë ne gardhin e lajthive ose të hardhive. Në çdo vend, në çdo pëllëmbë tokë, le të shohim si mund të përfitojmë prej saj. Ju jeni një zonë e mrekullueshme arrore, zonë ku gështenja, arra e lajthia bëhen të cilësisë më të mirë. Unë e kuptoj që ju keni pasur vështirësi tregu, por tani me rrugën dhe tunelin e Elbasanit, ju bëheni pjesë e tregut të Tiranës. Me zhvillimin e turizmit, tregu i prodhimeve tuaja do të bëhet shumë herë më i madh. Domatet e komunës tuaj janë më të famshmet në Elbasan dhe më gjerë.

Ndaj dhe le të vazhdojmë udhëtimin së bashku. Ju garantoj se kështu si kemi vazhduar deri më sot, do të shumëfishojmë investimet tek ju. Për ne ‘Shqipëria vend i zhvilluar’ është ëndrra më e bukur, më madhështore e çdo shqiptari. Shqipëria është vend i bekuar. Në të katër anët e saj ajo ka pasuri të pafundme. Le të bëjmë ne gjithçka për t’i shndërruar ato pasuri në vlera për çdo qytetar. Le të ecim ne të sigurt drejt mëkëmbjes, drejt prosperitetit. Le të ndërtojmë këtu ne, në Labinot Mal, në Rrenë e kudo Evropën drejt së cilës po ecim. Për ne nuk ka një pëllëmbë tokë për tu braktisur, nuk ka një fshat dhe një komunë për tu braktisur. Paraardhësit tanë kanë zhvilluar doktrinën e zonave ku nuk ia vlen të investohet asgjë. Edhe sot ngrihen kundër ndërtimit të rrugëve, ngrihen kundër veprave publike. Ne do t’ju dëgjojmë ju dhe vetëm ju. Interesat dhe kërkesat tuaja janë e do të mbeten axhendë e kësaj qeverie.

Ne së bashku do të bëjmë që shpatet, luginat, tokat e çdo komune dhe çdo fshati të shndërrohen në kopshtin më të bukur, të shumëfishohet prodhimi dhe të ecim drejt mëkëmbjes. Së bashku do të bëjmë që çdo litër ujë që buron nga malet të kthehet në energji elektrike dhe të mos derdhet në det pa vlerë. Së bashku ne do të mëkëmbemi, do të zhvillojmë turizmin. 300 mijë kemi marrë në vitin 2004, 3.5 milionë ishin vitin që kaloi. Sigurisht nuk e kemi bulevard përpara nesh, sepse kemi trashëguar edhe një prapambetje që i afrohej mesjetës. Nuk e kemi bulevard, të dashur miqtë e mi, sepse në histori atë që i kemi bërë ne vetes, nuk na e kanë bërë të huajt. Por sot jemi me fat, jemi një vend i lirë, jemi anëtar të NATO-s, jemi një vend demokratik. Sot askush nuk mund të kërcënojë dhe të luajë me fatin tuaj, me liritë tuaja, me të drejtat tuaja, me pronat tuaja, me të ardhmen tuaj.

Ndaj dhe le t’i themi shokut, i cili është ngritur tani e po shkruan vepra - së shpejti do të botojë letrën e hapur për Enver Hoxhën ku i thotë se Shqipërinë e bllokova për t’u anëtarësuar në Evropë -, se ne do të vazhdojmë rrugën që kemi zgjedhur bashkë me ju; rrugën e ndërtimit të një Shqipërie moderne; rrugën e ndërtimit të një infrastrukture të njëjtë me qytetet në çdo fshat dhe komunë të këtij vendi; rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm rural; rrugën në të cilën ju, banorët e komunës Labinot Mal dhe të gjitha fshatrave të vendit, do të merrni brenda një kohe të shkurtër pensionin që marrin në qytet; rrugën në të cilën çdo fëmijë  i juaji, çdo djalë e vajzë e kësaj zone dhe në të gjithë vendin, i ka dyert e hapura për shkollat e mesme, i ka dyert e hapura për shkollat e larta; rrugën në të cilën ne do të realizojmë ëndrrat dhe të ardhmen tonë që meritojmë.

Edhe një herë me shumë nderim përulem përpara jush, ju përgëzoj për punën e shkëlqyer që bëni. Ju garantoj se do t’ju mbështesim ju dhe të gjithë banorët e këtyre zonave në çdo përpjekjen për të ndryshuar për mirë dhe për të ndërtuar të ardhmen këtu ku jeni.

Faleminderit!”


21/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›