E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton masa të reja lehtësuese për biznesin

22-11-2012 / Gazeta 55

Këshilli i Ministrave miratoi dje disa vendime të rëndësishme me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të klimës së bërjes biznes, lehtësimi i barrës fiskale dhe burokratike dhe rritja e transparencës
Gjoba bizneseve që nuk sigurojnë punonjësit

Këshilli i Ministrave miratoi dje, një sërë masash fiskale dhe administrative, lehtësuese për biznesin. Kryeministri Berisha, duke prezantuar këto masa, tha se qëllimi i tyre ishte përmirësimi më tej i klimës së bërjes biznes, lehtësimi i barrës fiskale dhe burokratike dhe rritja e transparencës. Ndërsa masat lehtësuese për biznesin janë heqja e akcizës për kafen e papjekur dhe zbritjen e akcizës në 60 lekë për kilogram, për kafenë e pjekur. Ndërkohë, tarifa doganore për kafen nga 10% bëhet zero, edhe pse qeveria nxit prodhimin vendas kjo jo vetëm për kosto minimale, por edhe për rritjen e punësimit.
Kryeministri Berisha vlerësoi se me këtë vendim bëhet një përafrim i nivelit të akcizës së kafesë në Shqipëri me vendet e rajonit. “Sot miratojmë disa ndryshime në akcizat dhe tarifat. Në një dialog me grupet e interesit, akciza e kafesë së papjekur hiqet. Nga 30 lekë për kilogram, ajo bëhet zero. Akciza e kafesë së pjekur nga 140 lekë zbret në 60 lekë për kilogram. Këto ndryshime në ligjin “Për akcizat” janë propozuar pas diskutimeve që janë bërë me importuesit e kafesë dhe problemeve të krijuara nga mbajtja e këtyre akcizave në një nivel relativisht të lartë. Këto akciza do të ndikojnë fuqishëm në uljen  kostos së përpunimit të kafesë, nxitjen e prodhimit vendas për përpunimin e kafesë, nxitjen e uljes së informalitetit në këtë industri, ku suksesi është shumë i madh, pasi është trefishuar sasia e kafesë së zhdoganuar. Kush pi kafe, i kujtohet se në kohën e Anastas Angjelit konsumoheshin 3000 tonë kafe, por zhdoganoheshin vetëm 1500 tonë. Ndonëse nuk ia faturoj të gjitha atij, pasi kishte edhe ‘ujqër’ të tjerë rreth tij.  Kjo mjafton që të mos ta ekspozojë për dy muaj si këshilltar ekonomie, pasi del dikush i nxjerr faturën dhe ai e largon për dy muaj. Me këtë vendim bëhet një përafrim i nivelit të akcizës së kafesë në Shqipëri me vendet e rajonit. Biznesi i kafesë fiton nga kjo ulje rreth 300 milionë lekë. Uroj që ta pasqyrojnë edhe në çmimin e saj, ndonëse dyshoj shumë se do ta pasqyrojnë. Sidoqoftë, qeveria i ka konsideruar të arsyeshme kërkesat e këtyre biznesmenëve dhe nxit pjekjen e përpunimit të kafesë më së shumti në vend, pasi në këtë mënyrë punëson më shumë, edhe kostoja ulet”- u shpreh Berisha. Një vendim tjetër i rëndësishëm është projektligji për disa ndryshime në ligjin për taksat kombëtare. Sipas këtij projektligji, vendosen eksporte për lëndën drusore dhe kjo masë propozohet të jetë 30 përqind.
“Kjo taksë do të mblidhet nga administrata doganore, në momentin e eksportimit dhe komisioni i agjentit tatimor propozohet të jetë zero. Duhet të jemi realistë se kjo masë nuk përputhet me filozofinë tonë liberale. Por mjedisorët e kanë ngritur me të madhe këtë, duke kërkuar ta ndalojmë për pesë vjet. Fatkeqësia e mjedisorëve është se u bashkohen edhe antiglobalistët, pasi p.sh Shalsi i bashkisë [Tiranë] është antiglobalist, nuk është mjedisor, pasi vetëm nga mjedisi nuk merr vesh. Një ditë po e shihja tek mblidhte firma si Çiçikovi. Edhe pse kjo është një masë, e theksoj jo pa probleme lidhur me konventat që ne aderojmë dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Ministria  e Integrimit bashkë me Ministrinë e Ekonomisë do të shohë edhe një herë se cilat janë hapësirat e nevojshme, në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe OBT-së, për kalimin e kësaj mase”- tha kryeministri. Në kuadër të lehtësimit të masave me qëllim nxitjen e biznesit, qeveria hoqi javën e kaluar TVSH-në për makineritë, çimenton dhe çelikun për hidrocentralet. Sipas kryeministrit, edhe vendimi i djeshëm i qeverisë për heqjen e tarifës së akcizës për kafen e papjekur, ulja në më shumë se 60 përqind e  tarifës për kafen e pjekur, do pasqyrohet në çmim, duke parandalur çdo rritje të mundshëm të çmimit të këtyre produkteve. Këto masa cilësohen nga ekspertë të ekonomisë si lehtësim i madh për zhvillimin e biznesit vendas. 
Vendime të tjera të qeverisë janë dhe ato për reduktimin e pengesave burokratike dhe rritja e transparencës. “Një tjetër vendim është ai për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9920 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar. Projektligji bën disa thjeshtime dhe parashikon se regjistrimi dhe çregjistrimi i përfaqësuesit tatimor të kryhet pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve dhe jo pranë Agjencisë Kombëtare të Regjistrimit, sikurse është aktualisht. Ky vendim vjen në përmbushje të zotimit tonë, për të lehtësuar sa më shumë barrierat burokratike”- tha Berisha.
Ky projektligj parashikon edhe një rritje pesëfish të masës së gjobave, në rast të konstatimit të punonjësve të pasiguruar, në rastet e mos deklarimit nga tatimpaguesit e regjistruar si subjekte, të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin. “E theksoj se kjo masë nuk ka në mënyrë absolute as edhe një qëllim për të shtuar të ardhurat në arkën e shtetit, por ka vetëm një qëllim madhor, të thellojmë e zgjerojmë lirinë e tregut. Ajo që rastësisht do të mësoja ishte se një biznesmen nga Pogradeci, i cili ka një biznes në Strugë dhe një në Pogradec, deklaronte çdo punonjës në Strugë, sepse, në rast se tatimet do t’i gjenin punonjës të padeklaruar, atëherë ai do të paguante pesë mijë euro gjobë, ndaj nuk bëhej fjalë që ai të mbante punonjës pa pagesë. Ndërkohë në Pogradec iu gjetën disa punonjës të pasiguruar, sepse këtu gjoba është e parëndësishme. Në rast se një biznesmen paguan sigurimet shoqërore, paguan të ardhurat personale për punonjësit dhe një tjetër nuk i paguan, natyrisht, konkurrenca është shumë e pandershme. Në këtë rast, ai që nuk paguan shpenzon në pak, për të njëjtin produkt e për të njëjtën vlerë të punës. Së dyti, në rrafshin njerëzor mbajtja në të zezë e punonjësit është mbajtje në skllavëri e tij. Ju garantoj se kjo është formë skllavërie reale. Po të lexoni romane që përshkruajnë atë sistem, edhe skllevërve u garantohet ndonjë pagë, u garantohej një ‘ëeekend’ brenda fshatit nga skllavopronari, madje kishin edhe një pistë ku vallëzonin të shtunë e të diel, por sërish ishin skllevër. Edhe punonjësit pa sigurime shoqërore, pa sigurime shëndetësore janë skllevër. Ndaj duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga ky koncept. Unë e quaj këtë një masë të vonuar”- theksoi kreu i qeverisë.
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin që rregullon në interesin më të mirë të institucioneve arsimore publike e private, dhënien e bursave për nxënësit e shkëlqyer dhe atyre më në nevojë. Sipas këtij rregullimi, institucionet arsimore publike e private do të japin bursa dhe ato do t’u njihen si shpenzimeve të zbritshme, nga organet tatimore, por ato do të dorëzohen në fillim të vitit shkollor, në Ministrinë e Arsimit, për të shmangur abuzimin me këtë të drejtë.

Masat lehtësuese për biznesin
-       Heqja e akcizës për kafen e papjekur. Nga 30 lekë për kilogram bëhet zero.
-       Akciza e kafesë së pjekur nga 140 lekë zbret në 60 lekë për kilogram.
-       Tarifa doganore për kafenë nga 10 përqind bëhet zero.
-       Regjistrimi dhe çregjistrimi i përfaqësuesit tatimor do të kryhet pranë Drejtorisë    Rajonale  të Tatimeve dhe jo pranë Agjencisë Kombëtare të Regjistrimit, si aktualisht.

Transparenca
-       Rritet pesëfish masa e gjobës, në rastet e konstatimit të punonjësve të pasiguruar
-       Apo në rastet e mos-deklarimit nga tatimpaguesit e regjistruar si subjekte, të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin.
-       Nga 1 janari, procedura për blerjet e vogla bëhet tërësisht dixhitale.
-       Qeveria shtyn deri më 31 dhjetor, deklaratën e pasurive individuale.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›