E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeprokurori, Sequi: Person me integritet profesional

22-11-2012 / Gazeta 55

Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi tha sot se Kryeprokurori i ardhshëm duhet të jetë një person me integritet profesional. Ambasadori Sequi kërkoi që procesi të jetë transparent dhe kushtetues. “Po shqyrtojmë aspektin ligjor dhe kushtetues për këtë çështje. Për Bashkimin Evropian pavarësia dhe konsolidimi i institucioneve është guri i themelit, sidomos kur bëhet fjalë për prokurorinë. Çdo proces duhet të jetë kushtetues dhe transparent. Në çdo vend evropian d.m.th edhe në Shqipëri çdo person që ka një pozicion institucional, përfshirë edhe Kryeprokurori duhet të jetë një individ që është tejet profesional, të ketë integritet dhe të ofrojë pavarësi të llogaridhënies”- u shpreh ai.


Pas takimit që ka zhvilluar me kryetaren e KQZ-së, Lefteri Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba,  ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi theksoi se cilësia e zgjedhjeve mbetet test kritik për procesin integrues të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë për hapjen e negociatave. Në këtë kontekst ai u shpreh besimplotë ndaj KQZ së re, ndërsa garantoi mbështetjen e BE-së qoftë edhe financiarisht. “Cilësia e mirë e zgjedhjeve në përputhje me standardet do jenë një test kritik për procesin drejt integrimit, në mënyrë të veçantë për hapjen e negociatave. Theksova se duhet të kemi një përgatitjeje të zgjedhjeve në kohën e duhur, nevojën për të patur konsensus në punën e KQZ, si dhe anëtarët e saj, si dhe detyrën që ka KQZ dhe anëtarët e saj. Kam shprehur dhe gatishmërinë e BE për të ndihmuar edhe me fonde nga BE. Vura re që ka një vullnet të mirë dhe një vetëdije të fortë për të ecur përpara”- tha ai.
Lidhur me tre ligjet për statusin kandidat Sequi u shpreh se “pozicioni i BE-së dihet tashmë dhe është theksuar përherë nuk kam ndonjë mesazh të veçantë për të bërë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›