Qeveria miraton masterat në universitetet e rretheve

TIRANË - Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua hapja e një sërë programesh studimi të nivelit të parë, për marrjen e diplomave master. Këto programe do të hapen jo vetëm pranë fakulteteve të Universitetit të Tiranës, por edhe të atyre të rretheve. Universitetet jashtë kryeqytetit, në të cilët do të hapen këto programe studimi, janë universiteti i Gjirokastrës “Eqerem Çabej”, universiteti i Korçës “Fan S. Noli”, universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në përfundim të këtyre programeve të studimit, kandidatëve do t’iu jepet diplomë master e nivelit të parë, sipas degëve ku ata kanë kryer studimet. Pranë Mësuesisë në universitetin “Eqerem Çabej”, u miratua hapja e programeve master të nivelit të parë në degët Gjuhë-Letërsi dhe Histori-Gjeografi. Këto programe studimi realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit. Universiteti “Fan S. Noli” ka shpallur hapjen e diplomave master të nivelit të parë pranë fakultetit përkatës, në degët Gjuhë-Letërsi dhe Gjuhë Angleze. Ndërsa në Universitetet e Elbasanit dhe Shkodrës, numri i diplomave master që u miratuan dje me vendim të Këshillit të Ministrave është më i lartë. Sipas VKM-së, u vendos hapja e 6 programeve master të nivelit të parë në mësuesi, panë fakultetit të Shkencave të Edukimit në universitetin “Aleksandër Xhuvani”.
Diplomat master do të jepen në lëndët Gjuhë-Letërsi, Biologji-Kimi, Gjuhë Italiane, Gjuhë Gjermane, Gjuhë Frënge dhe Gjuhë Angleze. Po kaq do të jetë edhe numri i diplomave master të nivelit të parë, që do të jepen në fakultetin e Shkencave të Edukimit, pranë universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Lëndët në të cilat do të jepen këto diploma janë Gjuhë-letërsi, Matematikë-Fizikë, Matematikë-Informatikë, Biologji-Kimi, Gjuhë Angleze dhe Gjuhë Gjermane. Edhe këto programe realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit. U miratua gjithashtu edhe hapja e filialeve të fakultetit të Ekonomisë dhe të Agrobiznesit, si dhe të fakultetit të Bujqësisë e të Mjedisit në qytetin e Lushnjës, si njësi përbërëse të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Me miratimin e këtyre filialeve, u vendos edhe hapja pranë tyre e studimeve të ciklit të parë në degët Drejtimi i Fermave dhe i Agrobiznesit, Financë-Kontabilitet dhe Hortikulturë. Këto programe studimi realizohen me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është tre vite akademike. Për sa u përket pranimeve, numri i kuotave të miratuara për secilin nga këto programe studimi, me kohë të plotë për vitin akademik 2008-2009 është 25 studentë. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët që regjistrohen në vitin e parë, për të gjithë këto programe studimi është 15 mijë lekë të reja. Deri tani, diploma master e nivelit të dytë dhe të parë janë dhënë në rreth 50 programe studimi pranë Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera të vendit. Fakultetet ku është miratuar numri më i madh i diplomave master janë: fakulteti i Shkencave Sociale, i Histori-Filologjisë, Shkencave të Natyrës dhe disa fakultete në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Hapin dyert fakultetet e Lushnjës
Në mbledhjen e djeshme u miratua edhe hapja e programeve të ciklit të parë në qytetin e Lushnjës, si filiale të disa fakulteteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Kështu, qeveria vendosi për hapjen në qytetin e Lushnjës të filialeve të fakultetit të Ekonomisë e të Agrobiznesit dhe të fakultetit të Bujqësisë e të Mjedisit, si njësi përbërëse të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Po kështu, u miratua hapja e programeve të studimit të ciklit të parë, “Drejtimi i fermave dhe i agrobiznesit” dhe “Financë-kontabilitet”, në filialin e fakultetit të Ekonomisë dhe të Agrobiznesit të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në përfundim të këtyre programeve të studimit përfitohen përkatësisht diplomë e nivelit të parë, DNP, për “Drejtim të fermave dhe agrobiznesit”, dhe diplomë e nivelit të parë, DNP, në “Financë-kontabilitet”. Programi i studimit të ciklit të parë u dha edhe për degën Hortikulturë, në filialin e fakultetit të Bujqësisë e të Mjedisit të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në përfundim të këtij programi studimi do të jepet diplomë e nivelit të parë, DNP, në Hortikulturë.
Universitetet dhe degët ku janë miratuar masterat
Universiteti “Eqerem Çabej”
Gjuhë-Letërsi
Histori-Gjeografi
Universiteti “Fan S. Noli”
Gjuhë-Letërsi
Gjuhë Angleze
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”
Gjuhë-Letërsi
Biologji-Kimi
Gjuhë Italiane
Gjuhë Gjermane
Gjuhë Frënge
Gjuhë Angleze
Universiteti “Luigj Gurakuqi”
Gjuhë-Letërsi
Matematikë-Fizikë
Matematikë-Informatikë
Biologji-Kimi
Gjuhë Angleze
Gjuhë Gjermane