E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha shtron një darkë për nder të regjisorit të mirënjohur amerikan Frencis Ford Coppola

Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha shtruan dje në mbrëmje, një darkë për nder të regjisorit  të mirënjohur amerikan Frencis Ford Coppola dhe bashkëshortes së tij, të cilët kanë ardhur në Shqipëri si të ftuar të veçantë në Festivalin IV Ndërkombëtar të Filmit, në Durrës.

Kryeministri Berisha u shpreh se është një nder i madh për vendin tonë që këto ditë pret një njeri të shquar dhe të dashur për shqiptarët, si Frencis Coppola.

Kryeministri tha se ndonëse Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të izoluara, filmat e regjizorit Coppola kanë përcjellë tek shikuesit shqiptarë mesazhe shprese dhe lirie, duke hapur për ta një dritare drejt Evropës.

Duke shprehur vlerësimin më të lartë për veprimtarinë krijuese të regjisorit Coppola, Kryeministri tha se vepra e tij “Kumbari” do të mbetet një film i pavdekshëm në artin kinematografik botëror. “Në këto 4 dekadat e fundit, asnjë nuk është vlerësuar më shumë sesa zoti Coppola, nëpërmjet filmit të tij  “Kumbari”, një nga filmat më të realizuar të të gjitha kohërave, i cili do të mbetet i pavdekshëm.” u shpreh kryeministri.

Nga ana e tij, regjisori Frencis Coppola, shprehu falënderimet më të përzemërta për pritjen e ngrohtë  që iu rezervua, duke pohuar se dëshira për të vizituar Shqipërinë ka qenë e hershme, që atëherë kur regjizori Coppola vizitoi Dubrovnikun apo Italinë e Jugut dhe u njoh me historinë e Pirros së Epirit.

Gjatë bisedës, Zoti Coppola u interesua për origjinën e shqiptarëve dhe për njerëzit e shquar që ky vend i dha botës, ndër ta edhe Nënë Terezën.

Në darkë ishin të ftuar ambasadori amerikan, zoti Aleksandër Arvizu, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi, si dhe kineastë dhe organizatorë të festivalit.

Pas darkës, Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij ndoqën shfaqen e filmit “Youth without Youth” dhe “Tetro” të regjisorit Coppola, në ambientin e amfiteatrit antik të Durrësit, nga ku regjisori i mirënjohur u nderua me dhënien e çmimit “Gladiatori i Artë” për karrierën dhe novatorizmin e tij në kinemanë botërore.


02/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›