E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Familja Mbretërore, mbajtëse dhe kultivuese e vlerave më të arrira të identitetit kombëtar të shqiptarëve

 Kryeministri Berisha  ishte sot i pranishëm në hapjen e ekspozitës  së  koleksionit mbretëror  Adamidi Frashëri i krijuar gjatë një  100 vjeçari, u çel  sot me rastin e  83 vjetorit të Mbretërisë.

Gjatë përshëndetjes së tij kryeministri tha se hapja e kësaj ekspozite në 83 vjetorin e Mbretërisë përbën një ngjarje të rëndësishme. Kryeministri  shprehu  respektin dhe nderimin e tij, për familjen Adamidi, për këtë dhuratë, për këtë thesar të çmuar që i ka dhuruar Familjes Mbretërore Shqiptare, si  mbajtëse dhe kultivuese e vlerave më të arrira të identitetit kombëtar të shqiptarëve.
 
Në fjalën e tij kryeministri tha:

Madhëria  Juaj Princi Leka

E nderuar Princeshë

I nderuar  zoti Ministër

Të nderuar pasardhës të familjes Adamidi

I nderuar zoti Malltezi

Së pari dua të shpreh respektin dhe nderimin tim për familjen Adamidi, për këtë dhuratë për këtë thesar të çmuar që i ka dhuruar Familjes Mbretërore Shqiptare, si  mbajtëse, si kultivuese  e vlerave më të arrira të identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Hapja e kësaj ekspozite në 83 vjetorin e Mbretërisë përbën një ngjarje të rëndësishme. Mbretëria shqiptare ishte një nga faqet më të rëndësishme në historinë mijëra  vjeçare të kombit shqiptar. Në vitin 1912  etërit e pavarësisë së këtij vendi, pas përpjekjesh mbinjerëzore, do të ngrinin flamurin në Vlorë dhe sëbashku me ta do të ishte aty edhe një përfaqësues  i familjes kryesore të Matit , ndoshta ishte më  i riu, dhe të paktë  do të ishin ata që do të mendonin se vërtet ai nuk ngriti në Vlorë flamurin, por ai u shndërrua në  flamur mbajtësin  kryesorë  të kombit shqiptar.

Ahmet Zogu,  me përkushtimin e tij, atdhetarizmin e tij, trimërinë, guximin, intelektin  ia doli të ndalojë një rrokullisje të madhe, të nxjerrë pavarësinë nga një jermi  në mjegullnajat Ballkanike.  Doli të vendosë flamurin shqiptar në atë territor sigurisht të gjymtuar, por pa të cilin kombi sot nuk do të ishte më.  Ahmet Zogu dhe Mbretëria  u përball me të gjitha armiqësitë,  racizmat e egra antishqiptare rajonale dhe ndërkombëtare, por me një diplomaci të shkathët  bëri gjithçka që të konsolidojë pozitën politike të shtetit të ri shqiptar.

U përpoq të krijojë miqësira e lidhje në mënyrë që shteti shqiptar të konsolidohej.  U angazhua  në  një ndërtim të suksesshëm të vendit duke iu perkushtuar dhe Mbretëria u shndërrua pa diskutim në një shtet në një monarki  konstitucionale, në të cilin vendi po zhvillohej. 

Natyrisht, Shqipëria dhe Mbretëria Shqiptare ishte viktima e parë në Europën  e Luftës  së Dytë Botërore, por Kurora vazhdoi  luftën e saj të vendosur.  E vërteta është se mbështetësit  e Mbretit,  Zogistët,  ishin linja më e kristaltë e luftës për çlirim të vërtetë  kombëtar.  Natyrisht siç ndodhi me vendet  tjera të  Europës, Kurorat, e të cilave u transferuan përkohësisht  në Londër, apo vende të tjera të lira dhe më pas shumica  e tyre u rikthyen, kjo nuk ishte e mundur në Shqipëri.

Një regjim më i paparë në Europën e pasluftës, një regjim i cili për karrigen e pushtetit u bazuar  në luftën më të egër në eliminimin dhe zhdukjen e kundërshtarëve ndaloi rikthimin pa asnjë meritë të Mbretit Zog dhe Kurorës në Shqipëri.

Kjo ishte, zonja dhe zotërinj, fatkeqësia e dytë më e madhe kombëtare pas pushtimit të vendit.

Megjithatë Mbreti , oborri dhe mbështetësit e tij për 50 vite, vazhduan përpjekjet e tyre të gjithanshme për Shqipërinë, për Kosovën për kombin shqiptar në tërësi.  Historia vazhdon të jetë një njerkë e keqe për shqiptarët dhe kësaj radhe  e kam fjalën ne vepra në shkrime, ajo nuk ju ka thënë shqiptarëve akoma të vërteta e tyre.  Ajo sërish është e mbuluar me hirin toksik të regjimit diktatorial 45 vjeçar.

Dhe njëherë unë ju bej thirrje historianëve të këtij vendi, të hapin arkivat dhe tu thonë shqiptarëve të vërteta historike të tyre ashtu siç janë. Kombi sot është i lirë, por është shumë e rëndësishme të dije përpjekjen e madhe të burrave të tyre  për  të ndërtuar shtet në luftë kundër  anti-shtetit, sepse duhet të jemi realist, Zogu u përball me përpjekje të pa ndershme të personaliteteve  të ndryshme të asaj kohe, të cilët në mënyrën më absurde rrëzonin deri para vendosjes së Kurorës çdo javë nga një qeveri.

Absolutisht që të gjitha për llogari të atyre  fuqive që nuk donin ekzistencën e Shqipërisë. Historia duhet të flasë me të vërteta siç janë se kjo do ti ndihmojë shqiptarët të njohin më mirë veten e tyre.  Kjo do ti ndihmojë ata të jenë vetja e tyre dhe të shohin më qartë  drejt së ardhmes.

Dhe njëherë dua t’ju përgëzoj për këtë ekspozitë këtë mënyrë dinjitoze  që  keni përzgjedhur ju për të nderuar 83 vjetorin e mbretërisë  shqiptare kësaj ngjarje të madhe pa të cilën, nuk do të kishte pasur Shqipëri  të pavarur, pa të cilën ekzistenca  e një kombi  mijëra vjeçar, do të ishte vënë në kërcënimin dhe rrezikun më të madh në historinë  e tij.

Faleminderit. 


01/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›