E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton projektligjin “Për dhënie amnistie”, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë

Këshilli i Ministrave miratoi sot, projektligjin “Për dhënie amnistie”.  Kryeministri Berisha tha se amnistia merret në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë. Qëllimi i projektligjit është dhënia e amnistisë, të gjithë personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, për vepra penale me rrezikshmëri shoqërore të ulët apo për kategori të caktuara të personave të dënuar.

Projektligji “Për dhënie amnistie” është iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë. Nga aplikimi i amnistisë përfitojnë rreth:

a)     290 persona që gjenden në sistemin e burgjeve;

b)    928 të rritur dhe 452 të mitur që ndodhen nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës dhe janë me masa alternative;

c)     876 persona, të cilët deri në datë 31.08.2012 kanë qenë në hetim për veprat penale, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në dy vjet ose çdo lloj dënimi tjetër të lehtë.   

Përzgjedhja e kategorisë së personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në këto kritere:

a)     Lloji dhe masa e dënimit - deri në dy vjet;

b)    Koha e mbetur e dënimit – deri në 1 vit;

c)     Mosha aktuale e personit të dënuar – 55 vjeç për gratë dhe 60 vjeç për burrat;

d)    Mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale – nën 18 vjeç.

Të gjitha këto kritere, tha Kryeministri, kanë një emërues të përbashkët që është rrezikshmëria e ulët e personit apo veprës penale. Dhënia e amnistisë bazuar në këto kritere garanton mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë dhe rendin publik.

Fjala e Kryeministrit gjatë prezantimit të këtij projektligji.

“Sot, miratojmë projektligjin “Për dhënie amnistie”, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë. Qëllimi i këtij projektligji është dhënia e amnistisë të gjithë personave të dënuar, me vendim gjyqësor të formës së prerë, për vepra penale me rrezikshmëri shoqërore të ulët - e theksoj këtë të fundit -  apo për kategori të caktuara të personave të dënuar. Përzgjedhja e kategorisë së personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në këto kritere: Lloji e masa e dënimit; koha e mbetur për dënim; mosha aktuale e personit të dënuar; mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale. Zoti ministër, duhet një qëndrim gjinor më i diferencuar. Mosha është përfshirë, por duhet të përfshihet edhe gjinia, pasi duhet ta pranojmë se agresiviteti është më i shprehur në gjininë mashkullore, sesa tek gratë.

Të gjitha këto kritere kanë një emërues të përbashkët që është: rrezikshmëria e ulët e personit apo veprës penale. Ky projektligj i bazuar në këto kritere garanton mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë e qytetarëve dhe të rendit publik. Projektligji parashikon edhe përjashtimin nga përfitimi i amnistisë të një kategorie të të dënuarve që e vuajnë dënimin për kryerjen e veprave penale - natyrisht, krime kundër njerëzimit përjashton nga çdo amnisti, pasi janë të paaministueshme në të gjitha konventat - të tilla si krime kundër jetës të kryera me dashje; vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit; krime seksuale; vepra penale kundër lirisë së personit; vepra penale kundër moralit e dinjitetit; vepra penale kundër fëmijëve, martesës e familjes, vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; vepra me qëllime terroriste; vepra kundër autoritetit të shtetit; vepra penale kundër drejtësisë; vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.

Duke mbajtur në konsideratë se amnistia ka në frymën e germën e saj mundësinë e zbutjes së dënimit, projektligji parashikon se të gjithë të dënuarit që mund të plotësojnë kriteret për amnisti përfitojnë zbritje të ¼-s së dënimit të mbetur, me përjashtim të personave të dënuar për vepra penale të sipërcituara, të cilat konsiderohen si vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Në rastin e personave të dënuar për shkak të përsëritjes së të njëjtës vepër penale, recidivistët, natyrisht, amnistia nuk aplikohet. Nga ana tjetër, projektligji “Për amnistinë” parashikon se pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhin në këto organe dhe në organet e rendit publik për veprat penale të kryera deri në datën 31 gusht të vitit 2012, për të cilat, Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet apo një dënim më të lehtë. Parashikimi i datës 31 gusht 2012 lidhet me nxjerrjen e projektligjit për konsultim të jashtëm dhe është parashikuar për të parandaluar që gjatë periudhës së diskutimit të kësaj iniciative, rastet e kryerjes së veprave penale të lehta që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale, sipas këtij projektligji.

Këto janë kriteret e përcaktuara për amnistinë, në rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Natyrisht, këto kritere rigoroze kanë si synim të parë interesin publik, jetën, pronën e qytetarëve dhe unë i gjej ato shumë të bazuara”.


10/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›