E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria vendos heqjen e TVSH-së për çimenton dhe çelikun, për përdorim në ndërtimin e hidrocentraleve

Këshilli i Ministrave vendosi të heqë TVSH-në për çimenton dhe çelikun, për përdorim në ndërtimin e hidrocentraleve. Duke prezantuar këtë masë të re, Kryeministri Berisha tha se qeveria e konsideron atë, një stimul, për të nxitur investimet në sektorin e prodhimit të energjisë ujore, duke ulur kostot për ndërtimin e veprave energjetike dhe prodhimit të energjisë elektrike. 

“Duke e potencuar e duke shumëfishuar prodhimin e energjisë elektrike nga burimet ujore, ne bëjmë që shqiptarët të mund të furnizohen me energji me kostot më të ulëta, se të gjithë të tjerët që e prodhojnë atë nga burime të tjera energjetike”, - tha Kryeministri, duke ritheksuar se në këtë sektor, qeveria ka firmosur me kompani private, koncesione, me vlerë investimi mbi 3.2 miliardë euro, për ndërtimin e 443 hidrocentraleve.  

Gjithashtu, qeveria ka pasur parasysh impaktin në krijimit të vendeve të punës në të gjitha zonat e vendit, si interesi jetik i qytetarëve. “Gjeografia e tyre [HEC-eve], nga juglindja në verilindje, - tha Kryeministri - shtrihet pothuajse në tërësi në zonat kodrinore e malore të vendit, shtrihet në zonat më të thella dhe krijon në këtë mënyrë, mundësi punësimi në çdo skaj të vendit.”

Pak ditë më parë, Kryeministri Berisha njoftoi heqjen e TVSH-së për importin e makinerive. Të gërshetuara këto dy masa, në rrafsh më të gjerë, në kontekstin e projektit të qeverisë shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon, synojnë të inkurajojnë investitorët për përdorimin e fondeve financiare në burimet energjetike shqiptare.

Fjala e Kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë lidhur me këtë vendim.

“Në këtë mbledhje dua të informoj qytetarët dhe biznesin se qeveria, pas diskutimesh të gjera, vendos të heqë TVSH-në edhe për çimenton e çelikun e përdorur për ndërtimin e hidrocentraleve. Qeveria ka firmosur me kompani private, koncesione, të cilat tashmë tejkalojnë investime prej 3.2 miliardë euro. Ky përbën zhvillimin më pozitiv në fushën e revolucionit industrial të vendit, përbën përpjekjen më të madhe, për të shndërruar në vlera për qytetarët, pasuritë natyrore të Shqipërisë. Ndër këto pasuri, më kryesorja janë burimet ujore të vendit. Siç dihet, më shumë se 2/3 e tyre janë ende të pashfrytëzuara si burime energjetike. Pas një gare të ethshme për ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri, ne jemi përpjekur e përpiqemi të gjejmë stimujt më të përshtatshëm për të nxitur këto investime. Fatmirësisht, ky proces po ecën shumë mirë, pasi deri tani janë ndërtuar nga e para apo janë rikonstruktuar tërësisht rreth 70 hidrocentrale dhe janë në ndërtim e sipër dhjetëra e dhjetëra të tjerë.

Me dy masat e fundit, ndonëse e para, importi i makinerive pa TVSH, nuk është specifike për hidrocentralet, por për të gjithë investitorët dhe kjo masë e dytë specifike për hidrocentralet, ne ulim në mënyrë shumë të ndjeshme kostot e ndërtimit të hidrocentraleve në Shqipëri dhe e shndërrojmë Shqipërinë në vendin e ndërtimit me koston më të leverdishme të veprave energjetike. Në një rrafsh të gjerë, kjo përbën një inkurajim e mbështetje të fuqishëm të përdorimit të fondeve financiare, nga investitorë të ndryshëm, në burimet energjetike shqiptare. Ne jemi të vendosur që Shqipëria të ecë drejt shndërrimit të saj në një superfuqi të vërtetë të energjisë së rinovueshme në rajon.

Përzgjedhja selektive e hidrocentraleve përcaktohet para së gjithash, nga domosdoshmëria e krijimit të vendeve të punës në të gjitha zonat e vendit. Dua të theksoj se gjeografia e tyre, nga juglindja në verilindje, shtrihet pothuajse në tërësi në zonat kodrinore e malore të vendit, shtrihet në zonat më të thella dhe krijon në këtë mënyrë, mundësi punësimi në çdo skaj të vendit. Shumica e këtyre hidrocentraleve ndërtohen në zona që shqiptarët, në tërësinë e tyre, përveç banorëve që jetojnë aty, nuk i kanë parë ndonjëherë as në filmat dhe as në ekranet tuaja televizive. Të paktën, tani, ata qytetarë të kenë mundësi të punësohen në ndërtimin dhe administrimin e tyre.

Ky proces, i ndërtimit të mbi 443 hidrocentraleve të të gjitha përmasave, është njëkohësisht procesi i urbanizimit të zonave më të thella e më të largëta të vendit. Ne po ndërtojmë mijëra kilometra rrugë, por ju garantoj se vetëm për hidrocentralet ndërtohen qindra e mijëra kilometra rrugë të tjera. Natyrisht, qindra kilometra janë në zona të pabanuara, por, sërish, aty ku shkon rruga shkon zhvillimi, aty ku shkon rruga shkon edhe punësimi. Ndaj, kjo është një risi pozitive. Me mbi 3.2 miliardë euro investime që janë në vazhdim qëndron krijimi i dhjetëra mijërave vendeve të punës.

Por, nga ana tjetër, atyre zotërinjve, që kanë alergji ndaj koncesioneve, alergji që vjen nga ligësia shpirtërore, zilia e për asgjë tjetër dhe për këtë nxjerrin sloganet e kohës së etërve të tyre shpirtërorë, u them se ujërat që derdhen në detet e vendit, derdhen si një mall tërësisht pa vlerë. Ndërsa me këtë politike e alternativë, nëpërmjet taksave që vjelim, nëpërmjet politikës koncesionare, ne i shndërrojmë ato, në vlera, për qytetarët shqiptarë.

Beteja për energjinë është betejë afatgjatë. Problemi i energjisë është një problem, me ndonjë përjashtim, në tërësi, askurrkund përfundimisht i zgjidhur, sepse kërkesa për të nuk është statike, përkundrazi, është tepër dinamike, që përcaktohet nga zhvillimi e faktorë të tjerë. Duke e potencuar e duke shumëfishuar prodhimin e energjisë elektrike nga burimet ujore, ne bëjmë që shqiptarët të mund të furnizohen me energji me kostot më të ulëta, se të gjithë të tjerët që e prodhojnë atë nga burime të tjera energjetike. Sikundër, dua të theksoj se projekti më i madh rajonal dhe i kontinentit aktualisht, gazsjellësi TransAdriatik është një mundësi tjetër e madhe e Shqipërisë, për të qenë një nga prodhuesit kryesor të energjisë në rajon e më gjerë, si dhe për të eksportuar energji elektrike, duke përmirësuar në mënyrë thelbësore balancin e pagesave të vendit”.


10/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›