E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton vendimin "Për kompensimin e vlerës së taksës së biznesit të vogël të përdorur për rimbursimin e pajisjeve fiskale dhe taksimetrave, tek njësitë e qeverisjes vendore”

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua vendimi “Për kompensimin e vlerës së taksës së biznesit të vogël të përdorur për rimbursimin e pajisjeve fiskale dhe taksimetrave, tek njësitë e qeverisjes vendore”.

Kryeministri Berisha garantoi biznesin se qeveria do t’i rimbursojë plotësisht ata dhe se vendosja e kasave përbën një hov të madh cilësor në drejtim të  modernizimit dhe imazhit të vendit. “Dua të garantoj biznesin e vogël, taksistët dhe biznesin në tërësi se qeveria do të rimbursojë plotësisht dhe tërësisht pasaportën biometrike të biznesit të tyre”, theksoi Kryeministri.

Më tej, Kryeministri kërkoi që disbursimi ndaj qeverisë vendore të bëhet në një bashkëpunim të autoritetit qendror tatimor me autoritetin lokal. “Zoti ministër i Financave, meqenëse jemi tek ky vendim, bëhet një lojë me taksistët dhe taksimetrat për ta. Me tjetër shumë ua kanë ofruar dhe tjetër shumë u kërkojnë. Ky disbursim sigurisht që do t’i kalojë qeverisë vendore të Tiranës, por do të bëhet në një bashkëpunim të autoritetit qendror tatimor me autoritetin lokal. Kjo, në mënyrë që të mos mund të ketë asnjë lloj deformimi. Ligji i miratuar në Parlament për këtë çështje dhe që e kanë vlerësuar shumë bizneset, taksistët, sepse edhe ata janë një biznes i vogël me një rëndësi jetike për vendin, të përjashtohet çdo mundësi abuzimi ndaj tyre. Se tani në largim zullumi bëhet më i madh. Ndaj dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj çdo lloj forme zullumi që mund të bjerë mbi biznesin e vogël në Tiranë, që e duam aq shumë, dhe kudo në Shqipëri sepse është punësuesi kryesor në këtë vend. Kështu që në disbursimin e kësaj shume, rreth 960 milionë lekë, të bëhet kujdes i madh për transparencë të plotë dhe të mos mund të ketë asnjë lloj deformimi të ligjit dhe të përcaktimit tonë ligjor për të disbursuar plotësisht dhe tërësisht detyrimin e kasës biznesit”, u shpreh Kryeministri Berisha.


23/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›