E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi apelon sërish për zhvillim të fushatës zgjedhore korrekte, profesionale e sipas standardeve demokratike

23 mars 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot paradite në Konferencën Kombëtare për Qeverisjen Vendore, të organizuar nga Programi i Qeverisjes Vendore në Shqipëri (LGPA) i Agjensisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID), në ambientet e Hotel ‘Sheraton’ në Tiranë. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm Zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Debora Xhons, Kreu i USAID-it, Xhozef Uilliams, Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, Drejtori i Programit LGPA, David Smith, drejtues e përfaqësues të bashkive të vendit, ekspertë të fushës e pjesëmarrës të tjerë.

Në prani të tyre, Presidenti i Republikës mbajti një fjalë përshëndetëse, në të cilën u shpreh:

“E nderuar zonja Xhons,
I nderuar zoti Uilliams,
I nderuar zoti Poni,
I nderuar zoti Smith,
Të nderuar kryetarë bashkish, punonjës të pushtetit vendor, ekspertë,
Zonja e Zotërinj,

Natyrisht është një kënaqësi e veçantë për mua të jem këtu sot. E mirëprita ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë, e cila realizohet në përmbyllje të një projekti shumë të rëndësishëm dhe padyshim në fillim janë fjalët e falenderimit. Një falenderim i veçantë për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për popullin amerikan, për USAID-in, për të gjithë ekspertët, të cilët, në vitet e tranzicionit shqiptar dhe në vitet e konsolidimit të demokracisë në Shqipëri, kanë qenë substancialë në mbështetjen e demokracisë në Shqipëri, në konsolidimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, por edhe mjaft projekte të rëndësishme, që kanë pasur të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Padyshim, një nga projektet më të rëndësishme, që në mënyrë reale fillon në funksionimin e një ‘Task Force’ në vitin 1998, kur kam pasur fatin të jem edhe anëtar i këtij grupi të ‘Task Force-s’, ka qenë pikërisht nevoja për të konsoliduar një element të ri demokracie, për të dhënë shansin që të kemi një fizionomi më të plotë të ndarjes së pushteteve dhe të administrimit të tij, në të gjitha nivelet e saj, në nivel qendror, por edhe në nivel vendor. Besoj është rast unikal, sikurse jemi mësuar shpesh t’i referohemi mjaft çështjeve që kanë të bëjnë me një eksperiencë ‘sui generis’ të Shqipërisë, një vend tepër i izoluar, tepër i centralizuar, çka do të thotë një përqëndrim ‘in extremis’ i kompetencave në pak duar. Pra, ka qenë e nevojshme, ka qenë e domosdoshme dhe ju jemi mirënjohës. Falë kësaj, Shqipëria, institucionet e saj, klasa politike, fitoi një koshiencë të re, iu nënshtrua një procesi mbi bazën e një vullneti politik dhe qytetar, ratifikoi Kartën e Autonomisë Lokale, ndërtoi ligje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me funksionimin e pushtetit vendor, të linjave të decentralizimit, të transferimit të pronave dhe mjaft të tjera, që kanë të bëjnë me decentralizimin fiskal. Është momenti për të përgëzuar të gjithë ata aktorë politikë, institucionalë, të gjithë ata aktorë të një pune ndoshta të padukshme por të përditshme. I referohem edhe njëherë këtu një thënieje lapidar të Nënë Terezës: “Nuk ka rëndësi të bëni gjëra të mëdha, ka rëndësi të punoni çdo ditë, por me zemër”. Dhe besoj, të gjithë kanë punuar çdo ditë. Dhe është mirë që ne, edhe nga pikëpamja metodike, paraqesim nëpërmjet filmimeve, gjëra që ndoshta i harrojmë. Gjërat e mëdha sigurisht vijnë nga një kontribut i të gjithëve dhe nuk vijnë brenda një dite. Ky është një proces i gjatë, një evolucioni të pashmangshëm në një botë demokratike. Dhe unë sinqerisht, ju përgëzoj!

Roli i qeverisjes vendore padyshim është i jashtëzakonshëm. Është ai pushtet që ne e ndiejmë më afër dhe duhet të jetë më afër, sepse është pushteti në funksion të halleve dhe problemeve të përditshme të qytetarit. Ndonjëherë ky pushtet, ndonëse vetë politika qendrore i ka dhënë spacio, i ka dhënë mundësi që të zhvillohet, në mjaft raste, edhe nënvlerësohet. Pra, gjërat kanë ecur, gjërat kanë bërë progres dhe progresi është i dukshëm dhe në terma konkretë, por besoj që këtë pushtet kaq të rëndësishëm të qytetarit, ne duhet ta ndihmojmë me politika serioze, bashkëpunuese, në nivel qendror.

Kjo Konferencë sot bëhet akoma më e rëndësishme, sepse zhvillohet në prag të përgatitjes për fillimin e një fushate, pikërisht për zgjedhjet administrative apo zgjedhjet lokale, të dekretuara të mbahen në datë 8 maj të këtij viti. E kam dekretuar këtë datë, sigurisht duke përmbushur detyrimet e mia kushtetuese. Kjo natyrisht në aspektin formal si datë, por në aspektin e qenësishëm në të gjithë sinjifikancën që ka kjo datë, e kam mbështetur zhvillimin serioz të fushatës dhe të realizimit të këtyre zgjedhjeve, pikërisht për atë që ne e kemi detyrim si një shtet demokratik, për të ndarë në mënyrë të qartë interesat e politikës qendrore me interesat specifike të pushtetit vendor. Do ta them haptas, edhe për ata që konsiderohen profesionistë në politikë, përfytyroni për një qytetar të thjeshtë. E ka mjaft të vështirë në mjaft raste të ndajë diskursin politik apo tematikën e politikës së madhe qendrore me atë lokale. Ndërkohë, që në vendet, të cilat ne dëshirojmë të imitojmë në të gjitha standardet, ndahen në mënyrë shumë të qartë. Sigurisht, politika është baza e ndërtimit dhe të platformave, të cilat do t’i parashtrohen qytetarit edhe për zgjedhjet lokale, por dëshirojmë që kjo politikë të jetë më profesioniste, të jetë më specifike për çështjet që kanë të bëjnë me qytetarin, sepse rrezikojmë që duke përdorur terma të përgjithshme, duke përdorur të njëjtat terma që jemi mësuar t’i dëgjojmë çdo ditë, nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër, rrezikojmë t’i shkëputemi pikërisht atyre elementëve të rëndësishëm, që i interesojnë si mbështetësve të partive politike, por edhe njerëzve të cilët nuk kanë ndonjë atraksion për politikën. Shoqëria demokratike ka bukurinë e saj, sepse ka një kompozicion shumë të larmishëm. Ka njerëz që janë të motivuar ta ndjekin politikën, ka njerëz që angazhohen drejtpërdrejt në politikë, ka njerëz indiferentë, ka njerëz, që janë neutralë ndonëse nuk janë indiferentë, por të gjithë së bashku jetojmë në një shoqëri, ku duhet të shfrytëzojnë të gjitha frytet e demokracisë, por edhe të taksave që ata paguajnë. Kjo është aryseja që duke parë këtë auditor të nderuar, një pjesë të mirë të të cilëve unë i kam ndjekur, i kam ndjekur me admirim, sepse pavarësisht tensioneve që përmban politika partiake, shpesh herë ata kanë treguar dinjitet në sensin e ushtrimit të detyrës së tyre, pikërisht për të përballur dhe për të demonstruar që pushteti vendor kërkon që të jetë i decentralizuar, jo thjesht në kompetencat që ka, por edhe në dinjitetin dhe përmbushjen e detyrimeve të çdo kryebashkiaku apo kryekomunari.

Unë do ju falenderoja në mënyrë të veçantë edhe për një moment tjetër që ka të bëjë pikërisht me këtë kontekst, sepse ju keni qenë vërtet mediatorë, interlokutorë të realizimit të disa gjërave, të cilat pa ndërmjetësinë tuaj, vështirë se do të kishin shkuar në këtë lloj efikasiteti. Do të thoni ju: ‘Pse e gjykon në këtë mënyrë’? Kam të drejtë sepse kam parë shfaqje reale, kur paradoksalisht në disa këshilla bashkiakë, atëherë kur është ndjerë mëse e nevojshme që koshienca e përfaqësuesve të interesave të qytetarëve, pikërisht të qytetit, i cili përfaqësohet në politikat e zhvillimit të tij, pikërisht nga këshillat bashkiakë, janë bllokuar thjesht për shkak të emocioneve politike apo të refleksioneve të deformuara të interesave të liderëve politikë. Rastin ekstrem e keni në Tiranë. Kur ka një projekt të miratuar qysh në vitin 1989 dhe vjen viti 2011, ende polemizohet edhe politikisht për një çështje që ka të bëjë thjesht me një element infrastrukturor, sikurse është Unaza e Madhe e Tiranës, ku do kalojnë të majtë, do kalojnë të djathtë, do kalojnë të qendrës, do kalojnë politikanë, do kalojnë ata që s’kanë ndërmend të merren me politikë, dhe kjo do të ishte patjetër një këndvështrim, që unë nuk dëshiroj t’i rikthehem më. E mora thjesht për ilustrim. Unë dëshiroj që e ardhmja e atyre që do të shërbejnë në pushtetin vendor, t’u referohen pikërisht praktikave më të mira të qeverisjes vendore, atyre të huazuara pikërisht edhe nga kjo filozofi që ka shpalosur ky projekt i qeverisjes së mirë vendore. Gjërat kanë ecur mirë edhe në trasnferimin e pronave. Do të dëshiroja që transferimi i pronave të vendosej në efiçencë të plotë të pushtetit vendor, i cili vërtet ka nevojë. Unë nuk dëshiroj të futem në specifikat e funksionimit, sepse jeni më ekspertë se unë. Jeni më ekspertë, sepse i ndeshni çdo ditë, keni shumëllojshmëri të problemeve që vijnë nga komunitetet, por do të doja të bëja një apel që lidhet pikërisht me zgjedhjet e datës 8 maj. Unë mendoj që është momenti më i rëndësishëm që këto zgjedhje të zhvillohen në qetësi të plotë mbas një situate të tensionuar politike, gati-gati në pozicionet e një konfliktualiteti politik të shprehur. Zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen në korrektësi sipas ligjit, ku pjesëmarrja e qytetarit është shumë e nevojshme. Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë nga kjo foltore e një mjedisi shumë të nderuar, i cili mblidhet specifikisht për të hetuar çështje që kanë të bëjnë me pushtetin në funksion të qytetarit. Ta vlerësojmë datën 8 maj! Ta vlerësojmë e të marrim pjesë, të mos ta shikojmë me indiferencë. Të marrim pjesë dhe në të gjithë komunikimet gjatë fushatës zgjedhore, e cila natyrisht duhet të jetë në vëmendjen e partive politike që mos ta bëjnë politike. Kemi nevojë të shikojmë ide, konfrontime idesh, alternim idesh, sinkronizime idesh. Nuk është nevoja të bëjmë një klimë negativiste, një politikë negativiste. ‘Thua ti këtë variant, unë dua të them të kundërtën’. Në një shoqëri moderne, të civilizuar ka shumë momente, sidomos për projekte infrastrukturore, ku partitë, kandidatët, të tregojnë bonsens, të thonë që nëse ekziston diçka vërtet që është edhe në dëshirën e qytetarit, t’i bashkojnë idetë e tyre. Në fund fare, janë qytetarët ata që do të vendosin se kush do t’i drejtojë. Unë uroj që të dalin fitues njerëzit më të mirë, pa dalluar pozicioni im i shprehur në mënyrë të vazhdueshme ka qenë kushtetues, vazhdon të jetë kushtetues. U bëj thirrje të gjithëve, pa pasur parasysh, janë kandidatë të majtë a të qendrës, apo të djathtë, të bëjnë një fushatë shumë profesionale! Atëherë do të kemi të drejtën të themi që ata që do të na udhëheqin në pushtetin vendor, do të jenë jo thjesht njerëz politikë dhe instrumenta të politikës të ditës, por do të jenë interpretë dhe përfaqësues të denjë të qytetarëve.

Edhe njëherë urimet më të mira për sa keni bërë. Uroj të gjithë ata që do të jenë në garë të kenë një fushatë dhe një garë të ndershme, dinjitoze! U uroj të gjithë qytetarët shqiptarë që, mbas këtyre zgjedhjeve, të realizojnë ëndrrat që kanë patjetër edhe interesat e atyre që do ju udhëheqin!

Ju falemnderit!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›