Qeveria miraton projektligjin për amnistinë fiskale
- Qytetarët shqiptarë mund të legalizojnë paratë e tyre kundrejt një tarife prej 3 përqind të shumës; pronat e tyre kundrejt një tarife prej 1 përqind të vlerës;
- Biznesi i vogël i paregjistruar mund të regjistrohet duke paguar një tarifë prej 3 përqind; kompanive u jepet mundësia të bëjnë paraqitjen e plotë të pasurive të tyre në bilance kundrejt një tarife 6 përqind;
- Shtetasve që deri në 31 dhjetor 2010 kanë futur automjete në territorin doganor të Shqipërisë dhe nuk kanë paguar detyrimet ndaj administratës doganore, nëse paguajnë 50 % të principalit të detyrimit ndaj kësaj administrate, u falen pjesa tjetër e principalit së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat
- Nga falja e detyrimeve të prapambetura të faturave të energjisë elektrike përfitojnë 270 mijë familje shqiptare që i përkasin shtresave në nevojë
Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi sot projektligjin lidhur me amnistinë fiskale, përfituesit kryesor të së cilës janë qytetarët shqiptarë. Duke u ndalur në këtë projektligj, Kryeministri Berisha u shpreh se qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të legalizojnë të gjitha paratë e tyre, kudo që i kanë të vendosura, kundrejt një tarife prej 3 përqind të shumës. Gjithashtu, në ligjin e amnistisë përftimet e qytetarit janë dhe në pronat e paluajtshme. Ata do të kenë mundësi të regjistrojnë pronat e tyre duke paguar 1 përqind të vlerës. Me këtë amnisti, - vijoi më tej Kryeministri Berisha - , falen të gjitha taksat e tatimet e papaguara, gjobat dhe interesat. “Nga data 31 dhjetor 2010 e më parë çdo detyrim është i amnistuar”, theksoi Kryeministri Berisha.
Një tjetër kategori që prek amnistia është edhe biznesi i vogël i paregjistruara, i cili regjistrohet dhe paguan tarifën 3 përqind. “Falen sigurimet shoqërore për të punësuarit dhe të vetëpunësuarit, gjobat e vendosura para datës 31 dhjetor 2010 dhe paguan tarifën 3 përqind. Falen kompanitë me bilance jo të përshtatshme. U jepet mundësia të bëjnë paraqitjen e plotë të pasurive të tyre në bilance kundrejt një tarife 6 përqind. Pra bëhet një amnisti e madhe. Krijohet mundësia e vetëdeklarimeve të të gjitha pasurive për biznesin”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Ndërkohë, shtetasve, të cilët deri në datë 31 dhjetor 2010 kanë futur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë automjete dhe që nuk kanë paguar detyrimet ndaj administratës doganore, nëse paguajnë 50 përqind të principalit të detyrimit ndaj kësaj administrate, u falen pjesa tjetër e principalit së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat që do të paguanin.
Në vijim, Kryeministri përsëriti edhe një herë se amnistia nuk përfshin pasuritë që janë subjekt hetimi në përputhje me ligjin antimafia, pra me origjinë nga krimi e trafiqet, si dhe nuk falen pasuritë e krijuara nga zyrtarë apo ish zyrtarë, që janë të fshehura. Gjithashtu, një tjetër element i rëndësishëm është ruajtja e konfidencialitetit të plotë të të amnistuarve dhe pasurive të amnistuara.
Kryeministri Berisha i bëri thirrje të gjithë përfituesve nga kjo amnisti që të shfrytëzojnë harkun kohor deri më 31 dhjetor të vitit 2011 për të përfituar nga çdo lloj detyrimi që amnistohet.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha ripërsëriti edhe një herë thirrjen ndaj opozitës për të votuar ligjin për amnistinë, si dhe në rast se ka vërejtje e sugjerime të amendojë këtë ligj. Përndryshe, theksoi Kryeministri, do të detyrohemi të operojmë me faljen, e cila nuk ka spektrin e amnistisë
Një tjetër projektligj i rëndësishëm i miratuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave ishte dhe ai “Për faljen e detyrimeve të prapambetura, të faturave të energjisë elektrike, ndaj shoqërisë KESH sh.a, Tiranë, nga debitorët familjarë”. Lidhur me këtë projektligj, Kryeministri theksoi se pjesa e borxhit e mbetur në shoqërinë KESH sh.a, një shumë prej 380 miliardë lekë të vjetra apo rreth 400 milionë dollarë i përket konsumatorëve familjarë dhe, pothuajse, 98 përqind e atyre që i kanë këto detyrime i përkasin shtresave në nevojë. “E vërteta është që detyrues për faturat e energjisë janë 270 mijë familje shqiptare. Këta janë familje në ndihmë ekonomike, janë pensionistë pa burime të tjera të ardhurash përveç pensionit të tyre, janë gra kryefamiljare, jetimë, invalidë”, u shpreh Kryeministri.
23/03/2011