E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e Spitalit Amerikan II

-          Kryeministri Berisha: inaugurimi i Spitalit Amerikan II, investim i rëndësishëm në sistemin shëndetësor shqiptar

-          Kryeministri Berisha: Ju siguroj se qeveria është e vendosur për të bërë gjithçka, për cilësinë  e shërbimit në sektorin publik. Sikundër siguroj një garë të ndershme midis këtij sektori dhe sektorit privat për shërbimet për qytetarët shqiptarë.

Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja  e tij, zonja Liri Berisha ishte i  pranishëm sot, në inaugurimin e Spitalit Amerikan II, një investim  prej 20 milion eurosh.

Duke përshëndetur këtë event, kryeministri u shpreh se çelja  e dyerve të këtij spitali është një ngjarje  e veçantë për mjekësinë shqiptare, pasi inaugurohet një qendër, ndër më modernet, një investim i shkëlqyer i biznesit amerikan, në fushën e shëndetësisë.

Kryeministri vlerësoi punën e palodhur, kurajën dhe përkushtimin e investitorëve dhe mjekëve të këtij grupi, të cilët ndonëse e  nisën punën, në një terren të vështirë dhe të panjohur, falë pasionit dhe humanizmit ia dolën me sukses, në investimet  e tyre. “Vite më parë ju filluat këtë veprimtari, në  një terren për tu zbuluar, për tu njohur me shumë të panjohura për ju dhe ju rrezikuat  jo pak, por pasioni dhe humanizmi për të ndihmuar këtë vend dhe këta qytetarë ishin shtytja juaj kryesore. Guximi, pasioni dhe përkushtimi juaj bënë që kjo të jetë një histori e vërtetë suksesi” tha kryeministri.

Kryeministri shprehu ndër të tjera, kënaqësinë që dita  e inaugurimit të këtij spitali përkonte me 22 marsin, një ngjarje të shënuar në historinë  e popullit shqiptar. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se institucionet e SHBA-ve dhe shumë miq amerikanë kanë një kontribut të veçantë në atë ditë. “Këtë spital e inaugurojmë në një ditë shumë të shënuar për shqiptarët. Natyrisht e keni zgjedhur me qëllim, dita në të cilën 19 vjet më parë, shqiptarët u ndanë nga diktatura më e egër që Evropa ka njohur në historinë  e saj. Institucionet e SHBA-ve dhe shumë miq amerikanë kanë një kontribut të veçantë atë ditë. Jam shumë I lumtur që e festojmë atë ditë, sot, me këtë inaugurim të një investimi të mrekullueshëm që ju keni bërë.” tha kryeministri.

Ky spital, i cili përbën investimin e 4 nga Bedminster, në një rrjet spitalor modern dhe bashkëkohor do të fokusohet kryesisht në lindje, kirurgji gjinekologjike, kirurgji të përgjithshme, ortopedi, urologji dhe kirurgji plastike. Një risi e rëndësishme e këtij investimi është qendra e Shëndetit riprodhues dhe Fertilimzimit in Vitro me laboratorin  e parë dhe të vetëm të Andrologji-Embriologjisë, në Shqipëri.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot për sistemin tonë shëndetësor, për mjekësinë shqiptare është një ngjarje  e veçantë, pasi inaugurojmë këtu një qendër të re ndër më modernet, një investim i shkëlqyer i biznesit amerikan në fushën e shëndetësisë, fushën ndër më të rëndësishmet e vendit tonë.

Ky investim  i Bedminster është investimi i katërt i një rrjeti spitalor dhe shërbimesh spitalore ndër më modernet, më të rëndësishmet, më eficent në Shqipëri. Këto investime në tërësi arrijnë vlerën 40 milion euro, kurse konkretisht spitali që inaugurojmë sot kap shumën e 20 milion euro.

President Drake,

zonja dhe zotërinj,

Vite më parë ju filluat këtë veprimtari, në  një terren për tu zbuluar, për tu njohur me shumë të panjohura për ju dhe ju rrezikuat  jo pak, por pasioni dhe humanizmi për të ndihmuar këtë vend dhe këta qytetarë ishin shtytja juaj kryesore.

Guximi, pasioni dhe përkushtimi juaj bënë që kjo të jetë një histori e vërtetë suksesi. Dëshmi madhore  e këtij suksesi është spitali që ne inaugurojmë sot. I katërti në këtë zinxhir spitalor, por më shumë se kjo e dëshmojnë qindra jetë të shpëtuara, të ndihmuara nga ekipet  e rrjetit tuaj spitalor. Ekipet tuaja u bënë pioniere të transplantit të veshkave dhe të një seri operacionesh të pakryera më parë, për të cilat shqiptarët detyroheshin të merrnin rrugët e dheut për tu kuruar.

Ju e nisët këtë veprimtari në një kohë kur vendi nuk kishte ligjet  e përshtatshme, për mjekësinë private dhe unë mund të pohoj se nuk ishte si klima e sotme e biznesit , ato vite, por së bashku me ju dhe rritjen tuaj u përmirësua shumë dhe klima e biznesit.

Ju ndikuat në mënyrë të fuqishmi në zhvillimin e një dimensioni të ri të me baza solide ligjore, partneritetit, publik privat. Një seri shërbimesh sektori publik jua a ka besuar ju mbi bazën e procedurave më transparente. Në kohën e sotme revolucioni më progresiv i njeriut është ai i shërbimeve. I vështirë, por jetik për cilësinë  e tyre, për të drejtën e njeriut dhe të qytetarëve për të përzgjedhur dhe mundësinë për  të përzgjedhur ata që e gjykon më të mirën.

Unë ju siguroj ju se qeveria ime është e vendosur për të bërë gjithçka për cilësinë  e shërbimit në sektorin publik. Sikundër siguroj një garë të ndershme midis këtij sektori dhe sektorit privat për shërbimet për qytetarët shqiptarë.

E inauguroni këtë spital në një ditë shumë të shënuar për shqiptarët. Natyrisht e keni zgjedhur me qëllim, dita në të cilën 19 vjet më parë shqiptarët u ndanë nga diktatura më e egër që Evropa ka njohur në historinë  e saj. Institucionet e SHBA-ve dhe shumë miq amerikanë kanë një kontribut të veçantë atë ditë. Edhe jam shumë i lumtur që e festojmë atë ditë sot me këtë inaugurim të një investimi të mrekullueshëm që ju keni bërë.

Ju uroj suksese punonjësve të këtij spitali, shpreh kënaqësinë që i jep përgjigje disa problemeve të mprehta të shërbimit gjinekologjik, të fertilitetit, etj, në vendin tonë.

Faleminderit shumë për investimin që keni bërë.”


22/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›