Qeveria miraton vendimin për ish të dënuarit politikë
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi një seri vendimesh, ndër të cilat vendimi “Për miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish të dënuarit politik të regjimit komunist”.
“Ne miratojmë shumën prej 1.5 miliardë lekë të reja apo 15 miliardë lekë të vjetra për shpërndarje për dëmshpërblim për ish të përndjekurit politik. Pra qeveria po bën gjithçka për tu qëndruar detyrimeve që ka ndaj të përndjekurve dhe pronarëve”, u shpreh Kryeministri Berisha. Një tjetër vendim i miratuar sot ishte “Për krijimin e Universitetin e Arteve”.
Kryeministri Berisha përshëndeti stafin dhe studentët e Akademisë, që tashmë do të shndërrohet në Universitet, dhe i uroi për këtë eveniment të rëndësishëm. Në sajë të kësaj trupe, u shpreh Kryeministri, talentet e shkolluara në këtë Akademi kanë bërë dhe po bëjnë emër në skenat e galeritë në mbarë Evropën dhe botën.
“Trupa pedagogjike ka arritur t’i përgjigjet tregut dhe vendimi i shndërrimit në universitet është një vendim që përshtatet plotësisht me statusin e realizuar nga profesorët, pedagogët, studentët e këtij universiteti. Është në meritën e tyre që talentet e shkolluara në këtë akademi kanë bërë dhe po bëjnë emër në skenat e galeritë në mbarë Evropën dhe botën. Ata i kanë dhënë një gjallëri krejtësisht tjetër krijimit artistik dhe jetës artistike kulturore të vendit”, u shpreh Berisha.