Qeveria miraton vendimin për rimbursimin e TVSH-së për fermerët. Kryeministri njofton uljen e TVSH-së për industrinë turistike

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rimbursimin e TVSH-së për fermerët. Kryeministri Berisha tha se kjo masë fiskale merret në kuadër të reformave të shpallura për mbështetjen e fermerëve dhe nxitjen e prodhimit bujqësor, ndërsa njoftoi edhe uljen e TVSH-së për industrinë turistike.
“Prodhimi bujqësor, që është rritur me shpejtësi, - u shpreh Kryeministri, - sigurisht si destinacion ka eksportin dhe eksporti i perimeve është rritur 2-3 herë, por edhe konsumin e brendshëm si një faktor tjetër shumë i rëndësishëm. Dhe 4.7 milionë turistë e vizitorë padiskutim nënkupton një rritje të madhe të konsumit.”
Duke prezantuar këto masa, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Në zbatim të premtimeve të dhëna, të reformave të shpallura, sot vendosim për rimbursimin e TVSH-së për fermerët. Zoti Ruli, edhe hekurin për serat. Nuk duhet të krijojmë konfuzion, duhet ta kemi shumë të qartë se 70 përqind e serës është hekuri dhe ne u zotuam për gjithçka ka të bëjë me prodhimin.
Zoti ministër i Brendshëm, vendimin e Këshillit të Ministrave për ndryshimet që bëmë lidhur me rregulloren e urbanistikës, kryetarët e komunave nuk e kanë marrë ende dhe e presin me padurim. Ata kanë marrë dy vendime të tjera dhe janë shumë të kënaqur me to. Kryetari i komunës Hajmel tha se me autoritetin që u është dhënë në administrimin e tokës kanë mundësi shumë të mëdha të ecin drejt politikave zhvillimore. Janë vënë në dispozicion të tyre sipërfaqe të tëra. Vendimi i fundit, ndonëse ata e marrin në fletoren zyrtare, duhet t’ia nisim me shpejtësi, direkt me postë, që të fillojnë nga puna, sepse një kryetar komune në Korçë tha se kishte katër kërkesa për frigorifer, por kishte ato pengesa që ne i zgjidhëm në mënyrë përfundimtare.
Pasi hoqëm taksën prej 10 euro për pasagjerët që udhëtojnë me charter, si kërkesë e operatorëve turistikë, tani do të ulim TVSH-në e industrisë turistike në tërësi. Do ta bëjmë këtë jo vetëm se e premtova në takimin me operatorët turistikë, të cilët bënë diskutime shumë të përgjegjshme e dhanë mendime shumë të vyera, por e vërteta është se kjo degë është degë kryesore e ekonomisë sot. Ky hap i rëndësishëm do të jetë një lehtësim i madh për ekonominë. Prodhimi bujqësor, që është rritur me shpejtësi, sigurisht si destinacion ka eksportin dhe eksporti i perimeve është rritur 2-3 herë, por edhe konsumin e brendshëm si një faktor tjetër shumë i rëndësishëm. Dhe 4.7 milionë turistë e vizitorë padiskutim nënkupton një rritje të madhe të konsumit.”
15/05/2013