Qeveria ndryshon ligjin për pensionet e pilotëve
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje disa ndryshime në ligjin “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”. Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka vendosur që në ligjin nr.9128, datë, 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të bëhen këto ndryshime: Në fund të nenit 1 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Në kategorinë e sipërpërmendur përfshihen dhe pilotët/teknikët e njësisë së transportit mjekësor me helikopter, të cilët kanë fluturuar me helikopterë”. Në fund të nenit 2 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Me pagë referuese, për pilotët/teknikët e njësisë së transportit mjekësor me helikopter, për efekt të këtij ligji, kuptohet paga e grupit, plus pozicionin dhe shtesat për fluturime, të njehsuara me pagën referuese të funksionit organik të pilotit/teknikut të kësaj njësie, në të njëjtën detyrë me përfituesin, në çastin e lindjes të së drejtës për trajtim të veçantë financiar”. Në fund të nenit 6 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Kur funksionet organike, në çastin kur piloti/tekniku i njësisë së transportit mjekësor me helikopter ka dalë në pension pleqërie, nuk ekzistojnë më në strukturën e Ministrisë së Shëndetësisë, ministri i Shëndetësisë bën njehsimin e tyre, për efekt të pagës referuese, me funksionet organike, që ekzistojnë në çastin kur pilotit/teknikut i lind e drejta e përfitimit të këtij trajtimi”
9 Prill 2009