E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet paketa 6-vjeçare e fondeve të projekteve Greqi-Shqipëri



Tri ditë më parë është miratuar paketa e fondeve për financimin e projekteve ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, që do të realizohen për periudhën 2007-2013. Burimet zyrtare të Komisionit Europian pohojnë se shuma është 10.2 milionë euro, ku 8.2 milionë janë të financuara nga Komuniteti Europian dhe pjesa tjetër nga Athina dhe Tirana zyrtare. Këto projekte do të realizohen në kuadër të IPA-s (Instrumenti i Para-Anëtarësimit). Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit, “Programi përfshin mbështetjen e komuniteteve për tetë rajone shqiptare dhe greke që shtrihen përgjatë zonës kufitare; të tilla si Threspotia, Ioniana, Kastoria, Follonia në anën e shtetit fqinj; dhe rajonet e Vlorës, Gjirokastrës dhe Korçës në Shqipëri.
Qëllimi strategjik i programit në tërësi është që të rrisë standardet e jetesës së popullsive të dy vendeve, të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm vendor në zonat ndërkufitare etj. Programi përfshin komponentë të tillë si ato ekonomikë, socialë dhe mjedisorë. Shuma prej 10.2 milionë eurosh është e ndarë në tri pjesë. 45% e fondeve do të shkojnë për nxitjen e zhvillimit ekonomik në zonën ndërkufitare; 45% të tjera janë për zhvillimin e burimeve mjedisore, natyrore dhe kulturore dhe pjesa tjetër është për asistencë teknike. Autoriteti menaxhues i lëvrimit të fondeve është Ministria e Ekonomisë dhe Financave të Greqisë (shih tabelën).

Prioriteti Kontributi i BE-së Kontributi Publik Kombëtar Totali
(Në euro)
1. Nxitja e Zhvillimit Ekonomik Ndër-Kufitar 3 669 154 941 644 4 610 798
2. Promovimi i Zhvillimit të Burimeve Mjedisore, Natyrale dhe Kulturore 3 669 154 941 644 4 610 798
3. Asistencë Teknike 815 366 209 257 1 024 623
Total 8 153 674 2 092 545 10 246 219

9 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›