Mbijetesa mes gjiganteve qe prodhojne dioksid karboni
Laureta Rryçi
Tiranë - Rreth 30 mijë banorë nga zona e Fushë-Krujës e deri në qytezën e Mamurrasit prej disa muajsh kanë nisur të ndiejnë shqetësimet e para që u ka sjellë ndërtimi i një fabrike të dytë çimentoje. Më shumë ndotje nga punimet për ndërtimin e gjigantit që çliron pafund dioksid karboni dhe më shumë zhurma prej lëvizjeve të makinave me tonazh të rëndë që transportojnë materialet e ndërtimit. Vendimi i vitit 2007 i qeverisë duket se ka shënuar në të njëjtën kohë “orën e zezë” jo vetëm për këta banorë por edhe për bimët dhe kafshët e kësaj zone. Këshilli i Ministrave por edhe Ministria e Mjedisit kanë gjykuar se kësaj zone duhet t’i shtohen edhe fabrika të tjera çimentoje pavarësisht pasojave që pritet të sjellin ato. Pasoja të cilat pranohen nga vetë firma e ndërtimit në raportet që kanë bërë për vlerësimin e ndikimit mjedisor. Për fabrikën që e ka marrë përsipër “Antea cements” në bashkëpunim me firmën Titan punimet kanë nisur bashkë me shqetësimet.
Borizana
Fabrika e re dallohet që në autostradë. Oxhaku i fabrikës së çimentos është drejt përfundimit. Fshati Borizanë tashmë do të jetë mes dy oxhaqesh që çlirojnë gaze të ndryshme që përbëjnë rrezik për jetën e banorëve. Të dhënat e fundit nga qendra shëndetësore tregojnë se një pjesë e banorëve vuajnë nga problemet e frymëmarrjes për shkak të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Me ndërtimin e një fabrike të dytë, askush s’di të thotë me saktësi se cilat do të jenë pasojat, por për një fakt janë të sigurt se fshati do të ketë më shumë banorë të sëmurë. Mjekët e kësaj qendre nuk pranojnë të flasin me emër për këtë çështje duke thënë se nuk duan të ngatërrohen në probleme që nuk i’u takojnë. Por, nën zë si specialistë të fushës shprehen se problemet me shëndetin do të shfaqen pak vite më vonë kur fabrikat të kenë nisur punën.
Thumana
Në një distancë po kaq e shkurtër është edhe fshati Kodër- Thumanë. Mes 6 mijë banorëve të kësaj komune në qendrën shëndetësore nuk ka pasur asnjëherë të sëmurë me problemet e frymëmarrjes që mund të merreshin në konsideratë. Banorët merren kryesisht me blegtorinë dhe janë të kënaqur me përfitimet që marrin. Një pjesë prej tyre merren dhe me pemë të ndryshme si dhe me vreshta. Shumë prej familjeve si në Thumanë ashtu edhe në Borizanë jetojnë me përfitimet financiare që marrin nga tregtimi i hurmës. Me nisjen punës për fabrikën e dytë, shumë prej tyre i tremben faktin nëse vreshtat e tyre do të prodhojnë sërish rrush të cilësisë së lartë që kanë prodhuar deri më tani apo nëse pemët e tjera do të kenë të njëjtën nivel prodhimtarie. Në raportin fillestar të “Antea”-s thuhet se janë pyetur nga dy banorë për çdo fshat, një mashkull dhe një femër. Po sipas këtij raporti rezulton se banorët mezi e paskan pritur ndërtimin e kësaj fabrike. Në raport shkruhet se fabrika do iu zgjidhë shumë halle që paskan banorët e zonës. Një nga këto probleme që do i jepej zgjidhje është dhe punësimi në fazën e ndërtimit dhe më pas në fazën kur do të nisë punë fabrika. Pasi pyetëm një sërë banorësh na thanë se vetëm një numër i pakët i tyre (më pak se 50 punëtorë) janë punësuar kryesisht si roje me turne për objektet që po përdoren për ndërtimin e rrugës nga fabrika deri në autostradë. Madje, kishte disa prej tyre që kishin punuar vetëm për pak kohë, pasi i kishin hequr nga puna pa pasur ndonjë motiv të fortë. Ndërsa për fazën e punësimit për periudhën pasi të ndërtohet fabrika mësuam se të interesuarit kishin shënuar emrin në listë. Por, askush nuk kishte marrë një përgjigje pozitive nëse do të pranohej ose jo. Mësuam gjithashtu se në këtë listë ndodheshin edhe emra të punëtorëve që janë aktualisht në fabrikën e çimentos të Fushë-Krujës. Ata nuk preferojnë të flasin me emër sepse shprehen se rrezikojnë vendin e punës. Të pyetur se përse duan të ikin nga kjo fabrikë për t’u punuar në një tjetër fabrikë çimentoje, shprehen se kanë dëgjuar se fabrika e re do të ketë kushte më të mira dhe për pasojë shëndeti i tyre ndoshta do të jetë më pak i rrezikuar se sa në fabrikën aktuale.
Studimi i “Eden”: Fëmijët dhe gratë do të preken më tepër
Koordinatorja për monitorimin e projekteve të zhvillimit pranë qendrës EDEN, Anisa Xhitoni, tregon se prej disa muajsh është pjesë e një studimi për të parë pasojat që do të sjellë në mjedis ngritja e fabrikës nga “Antea”. Sipas saj, në raportin për vlerësimin në ndikimin e mjedisit nga ana e firmës është deklaruar se për ndërtimin e fabrikës është shpyllëzuar një pjesë toke e mbuluar vetëm me shkurre. Por, nga vizita në terren është konstatuar se pre shpyllëzimit ka qenë një pyll në zhvillim. Pra ndonëse lartësia e bimësisë nuk ishte e lartë, arrihej të dalloheshin filizat e bimëve si ato të pishës, dushkut etj. Ajo shpjegon se duke u njohur dhe me zonën kanë vërejtur se kategoria që do të preken më shumë nga ndërtimi i kësaj fabrike do të jenë të moshuarit, fëmijët dhe në veçanti gratë. Të moshuarit dhe fëmijët për shkak të organizmit që është i prirur të preket nga sëmundjet. Ndërsa për gratë jo vetëm që do të jenë personat që do të kujdesen për shëndetin e këtyre dy kategorive por edhe për një arsye tjetër. Pjesa më e madhe e tyre mblidhnin deri më dje bimë shëndetësore që gjendeshin në zonat ku po ndërtohet fabrika, tani më ose iu duhet të ngjiten më lart ose të heqin dorë fare nga të mirat financiare që iu vinin nga mbledhja e këtyre bimëve.
Qeveria sharroi pyjet për fabrikat e çimentos
Vetëm pak kohë më parë qeveria miratoi dy vendime që i hapin rrugën realizimit të dy projekteve në fushën e prodhimit të çimentos, me vlerë prej 500 milionë euro. Këto dy projekte janë realizuar nga kompania greke “Antea Cement” dhe nga kompania spanjolle “Cementos Aguila” dhe parashikojnë ndërtimin e dy fabrikave të çimentos në afërsi të zonës së Fushë Krujës. Të dy kompanitë kanë përcaktuar sheshet e ndërtimeve për projektet e tyre. Kompania greke “Antea Cement ka parashikuar për këtë projekt një investim prej rreth 250 milionë euro. Kjo fabrikë do të ketë një kapacitet prodhues fillimisht mbi 2 milionë ton e më tej do të vijë në rritje. Edhe projekti i kompanisë spanjolle “Cementos Aguila” parashikon një investim prej rreth 250 milionë euro dhe kapacitet prodhues të fabrikës mbi 2 milionë ton si fillim. Për realizmin e projektit do të bëhet heqja nga fondi pyjor kombëtar të parcelave, në ekonomitë pyjore Krastë – Krujë dhe Shëmri – Brret, që do të përdoren për ndërtimin e fabrikës së çimentos e për kariera, nga “Cementos Aguila”, shpk”. Si detyrim qeveria i ka vënë kësaj firme, brenda 5 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, “Cementos Aguila”, shpk, do të pyllëzojë 150 ha pyje, në parcelat e degraduara pyjore, sipas përcaktimit të drejtorisë përkatëse të shërbimit pyjor. Po ashtu janë hequr nga fondi pyjor kombëtar të parcelave, në ekonomitë pyjore Krastë – Krujë dhe Shëmri – Brret, që do të përdoren për ndërtimin e fabrikës së çimentos e për kariera, nga “Antea Cement”, sha”. Parcelat pyjore, që do të përdoren nga “Antea-Cement”, sha, për ndërtimin e fabrikës së çimentos, me sipërfaqe 65.75 ha, dhe për karierë flyshi, me sipërfaqe 58.95 ha, dhe kariere gëlqerorësh, me sipërfaqe prej 99.76 ha, që ndodhen në ekonomitë pyjore Krastë – Krujë dhe Shëmri – Brret.
Pasojat që pranohen nga “Antea” gjatë fazës kur do të nisë punën fabrika
Ndikime në cilësinë e ajrit si rezultat procesit të prodhimit të çimentos si dhe nga pluhuri shkaktuar nga aktivitetet e karierave dhe proceset e fraksionimit dhe bluarjes.
Gjithashtu ka edhe ndikime në shkallë ndërkombëtare si rezultat i çlirimeve të gazeve atmosferike nga procesi i prodhimit.
Ndikime lidhur me zhurmën, veçanërisht ndikimi i zhurmës përreth në receptorët njerëzorë.
Ndikime të fabrikës dhe karierave nga ndryshimet peizazhore dhe ndikimet vizuale.
Ndikime në ekologjinë vendore nga humbja e habitateve si pasojë e zhvillimit dhe ndikime të fazës operacionale në përbërjen ekologjike përreth.
Ndikim në rrjetin e ujërave sipërfaqeve (sistemi hidrologjik) nga ndryshimet në sistemin e drenazhimit natyror të peizazhit brenda zonës së zhvillimit dhe përhapjes potenciale të grimcave të ngurta në ujë si rezultat i aktiviteteve industriale. Shkarkim
potencial i mbetjeve të lëngshme të ndotura në sistemin e drenazhimit të ujërave sipërfaqësore. Gjithashtu, ndikime në ujërat nëntokësore, quajtur ndryshe ujërat tokësore (sistem hidrogjeologjik) si rezultat i nxjerrjes së ujit për proceset industriale.
9 Prill 2009