E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbaron amnistia për makinat, vetëm 20 mijë mjete i paguan taksat prapambetura

Taksat e pashlyera i kanë mbartur 280 mijë mjete në të gjithë vendin. Pas amnistisë ka vetëm shlyerje të detyrimeve të prapambetura

Ervin KOÇI

Ka përfunduar dje amnistia fiskale për taksat e prapambetura të automjeteve pas dy ditësh shtyrje nga autoritetet shtetërore, si pasojë e numrit mjaft të vogël të pronarëve të mjeteve që erdhën për të paguar taksat. Data 8 prill shënoi dhe fundin e kësaj amnistie, e cila u dha mundësinë drejtuesve dhe pronarëve të mjeteve të transportit rrugor që të paguanin taksat e dy viteve të fundit (2008-2009) duke i falur ato të prapambetura të viteve të tjera, që nuk i kishin paguar. Nga dita e sotme Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor nuk do të kryejë asnjë shërbim për ata persona që nuk shlyejnë detyrimet. Nëse drejtuesit e rinj ose ata ekzistues do të kërkojnë të bëjnë kontrollin teknik të mjetit ekzistues apo do të kërkojnë të regjistrojnë një makinë të re, pa paguar taksat e makinës së vjetër nuk do të mund të përfitojnë asnjë shërbim. Por, ndryshe nga sa u prit, vetëm një numër i vogël mjetesh i paguan taksat e qarkullimit rrugor, në një kohë që pjesa më e madhe e automjeteve në të gjithë vendin qarkullojnë në mënyrë arbitrare, pa i paguar detyrimet e shtetit. Nga rreth 300 mijë automjete në qarkullim, që ka i gjithë vendi, taksat i kanë paguar vetëm 20 mijë drejtues makinash, duke shënuar kështu një numër përherë e në rënie në pagesën e taksave të qarkullimit.

Disku kontrollues

Që prej ditës së sotme u është shpërndarë të gjitha drejtorive rajonale të shërbimit të transportit rrugor ai që njihet si “disku republikë”. Në të gjenden të gjitha të dhënat për një automjet, që nga targa, numri i shasisë, leja e qarkullimit, emri dhe mbiemri i personit që e posedon etj. Aty rezultojnë të gjitha mjetet që ka në dispozicion qytetari dhe bëhet verifikimi i tyre. Sipas ligjit të ri, “për ato automjete që do të rezultojnë me pagesa të pabëra nuk do të kryhet asnjë shërbim pa paguar detyrimet e prapambetura”.
Gjatë katër ditëve të fundit pati një fluks kërkesash për të përfituar nga amnistia. Por gjithsesi, nga 300 mijë automjete, vetëm 20 mijë përfituan. Sipas të dhënave paraprake, në vendin tonë janë të regjistruara rreth 300 mijë mjete në total, nga të cilat 200 mijë janë mjete që kryejnë kontrollin teknik të përvitshëm.

Automjetet jashtë përdorimit

Probleme do të kenë edhe qytetarët automjeti i të cilëve nuk është çregjistruar nga përdorimi nëse ai ka pushuar së funksionuari (prishur ose bërë skrap). Sipas ligjit, edhe pse qytetari mund ta ketë hequr makinën nga qarkullimi 10 vjet më parë ose e ka bërë skrap, përsëri ai duhet të paguajë 10 vjet takat nëse nuk e ka çregjistruar atë. Por ai s’mund ta çregjistrojë makinën pa dorëzuar më parë targat dhe lejen e qarkullimit në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor. “Pas datës 8 prill, sipas ligjit, qytetarët që do të vijnë për leje drejtimi, për kontroll teknik, ose për targim të automjetit të tyre, nuk do t’u bëhet asnjë shërbim nëse nuk paguajnë detyrimet e papaguara deri më tani”, - thekson ligji.

Makinat e përdorura

Të gjithë ata që kanë ndërmend të blejnë një makinë të përdorur duhet të bëjnë kujdes. Duhet të sigurohen mirë nëse ai që ua shet makinën i ka paguar ose jo detyrimet e viteve të kaluara. Në të kundërt, ligji detyron blerësin që të paguajë të gjitha taksat e prapambetura të regjistrimit dhe ato të qarkullimit. Pas mbylljes së procesit nuk do të ketë më gjoba, por vetëm shlyerje të detyrimeve të prapambetura, 10 mijë lekë për taksën e qarkullimit dhe 2400 lekë për taksën e regjistrimit. Kjo shumë do të shumëzohet me numrin e viteve për të cilat makina rezulton jashtë qarkullimit. Bëhet fjalë kryesisht për ato mjete për të cilat që prej vitit 1994 nuk kanë paguar asnjë taksë. Sipas ligjit, “nëse një makinë e përdorur shitet, qytetari që e blen atë (bëhet pronar i saj), duhet të sigurohet që makinës i është paguar detyrimi. Brenda 10 ditëve, sipas Kodit Rrugor, blerësi duhet të bëjë ndryshimin e aktit të pronësisë. Nëse një person e shet makinën dhe nuk dorëzon aktin e shitjes në regjistër mbetet emri i tij, sepse shitja bëhet me një akt të thjeshtë noterial. Kjo nuk do të thotë se makina ka kaluar në emrin e blerësit”. Pra, të gjithë ata që janë të kujdesshëm duhet të mbajnë një akt shitblerje së bashku me të gjitha dokumentet e tjera të makinës me vete, pasi çfarëdo që të ndodhë drejtuesi i mjetit ose pronari i ri e ka të dokumentuar këtë shitje të makinës. Më vënien në zbatim të regjistrit të ri të automjeteve, të gjitha mjetet që dy vitet e fundit nuk kanë paguar do të kalojnë në “sitë” shumë të imët për çdo shërbim që do të marrin.

9 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›