Qeveria ndryshon procedurat për titullin "Profesor"

Universitetet rajonale marrin licencën për titullin "Profesor i Asociuar"
Këshilli i Profesorëve përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët duhet të jenë titullarë të lëndës
Gjatë mbledhjes së radhës të mbajtur dje, Këshilli i Ministrave ka vendosur të bëjë disa ndryshime në procedurat dhe institucionet, të cilat japin titullin profesor. Kështu nëse sipas vendimit të mëparshëm të qeverisë, vetëm Universitetet e vendosura në kryeqytet kishin të drejtën të akordonin titullin "Profesor i Asociuar", sipas vendimit të djeshëm të qeverisë këtë të drejtë e kanë tashmë edhe universitet rajonale publike të vendit.
Sipas vendimit nr. 467, datë 18.7.2007 universitetet që kishin të drejtë të promovonin personelin akademik për titujt "Profesor i Asociuar" dhe "Profesor" ishin Universiteti i Tiranës; Universiteti Politeknik i Tiranës; Universiteti Bujqësor i Tiranës; Akademia e Arteve të Bukura, Tiranë; Akademia e Kulturës Fizike dhe Sporteve, Tiranë, si dhe Qendrat kërkimore-shkencore, me status të krahasueshëm me atë të një universiteti. Ndërsa në vendimin ne ri thuhet që institucionet e arsimit të lartë (universitetet), që kanë të drejtë të promovojnë personelin akademik për titujt "Profesor i Asociuar", janë institucionet e arsimit të lartë publik.
Kjo do të thotë që përvç universiteteve të kryeqytetit, të drejtën për të akorduar titullin profesor i asociuar tani e kanë edhe universitetet publike të Gjirokastrës, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës etj.
Këshilli i profesorëve
Për organizimin dhe drejtimin e kualifikimit, shkencor e pedagogjik, pas doktoratës, në fakultetet e institucioneve të arsimit të lartë ngrihet këshilli i profesorëve (KP). Sipas vendimit të ri të Këshillit të Ministrave, në të bëjnë pjesë të gjithë profesorët, me kohë të plotë të fakultetit. Numri minimal i anëtarëve të KP-së është shtatë veta, nga të cilët, së paku, pesë janë "Profesorë".
Një ose dy anëtarë të KP-së janë "Prof. Asoc.", të punësuar me kohë të plotë, në fakultetin në fjalë ose fakultete të tjera të universitetit, që janë në prag të promovimit për titullin "Profesor". Në rast se numri i profesorëve të fakultetit është më i vogël se pesë, për të arritur këtë numër në KP mund të thirren deri dy profesorë, të ftuar nga fakultetet e tjera, brenda universitetit ose nga universitete e tjera brenda ose jashtë vendit.
Më parë për të plotësuar Këshillin e profesorëve mund të thirrshin profesorë të fushave të afërta, nga fakultetet e tjera, brenda universitetit, profesorë të ftuar apo profesorë me kontratë të fakultetit ose anëtarë, me titullin "Prof.Asoc.", që janë në procesin e aplikimit për titullin "Profesor".
Titulli "Profesor i Asociuar"
Ndryshime për këtë titull ka për Akademinë e Arteve të bukura në Tiranë. Titulli "Profesor i Asociuar" u jepet anëtarëve të personelit akademik, të cilët kanë fituar gradën shkencore "Doktor", dhe kanë të paktën tri vite përvojë në mësim dhënie.
Por, përvç kësaj kanë realizuar pas doktoraturës të paktën tetë referime të shkurtra ose paraqitje në konferenca dhe kongrese shkencore. Nga këto pesë duhet të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres), ku punimet janë pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe janë botuar në "Proceedings".
Përjashtim nga ky rregull bën personeli akademik i brendshëm, i ftuar dhe me kontratë i Akademisë së Arteve, krijues apo interpretues aktiv (kompozitorë, instrumentistë, këngëtarë, dirigjentë, aktorë, regjisorë, krijues të arteve pamore, koreografë, balerinë) që ka realizuar, së paku, tri koncerte recitale--premierë (vepra, ekspozita personale, vënie në skenë apo role të spikatura) në veprimtari (festivale, sezone), ndër të cilat, së paku, një është realizuar jashtë Shqipërisë, në një veprimtari ndërkombëtare (festival, sezon), ku vepra të jetë pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak, të jetë botuar në katalogët ose axhendat përkatëse dhe të jetë shoqëruar me kritikën përkatëse në shtypin profesional.
Aplikimi
Ndryshim ka pësuar edhe rruga që duhet të përshkojë dosja e kandidatëve për titullin "Profesor i Asociuar". Tani është dekani që pranon dosjet e aplikantëve, të cilat më pas ja kalon Këshillit të Profesorëve.
Ky këshill duhet të japë vendimin për fillimin e procedurës së vlerësimit të kandidatit brenda një muaji. Më parë detyrën për pranimin e dokumentacionit të aplikantëve e kishte Këshilli i Profesorëve, i cili më pas i kalonte dosjet në universitetin apo fakultetin përkatës.
Titulli "Akademik"
Titujt "Akademik i Asociuar" dhe "Akademik" janë tituj, që fiton çdo profesor, i cili është pranuar anëtar i Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Në rastin kur bëhet fjalë për një profesor të institucioneve të arsimit të lartë, gëzohen të gjitha atributet, që i takojnë titullit "Akademik i Asociuar" dhe "Akademik". Më parë këto privilegje i gëzonte vetëm titulli "Akademik".
Akademia e Shkencave jep llogari te Kryeministri
Sipas një vendimi të Këshilli të Ministrave të marrë në mbledhjen e djeshme, institucioni akademik më i lartë i vendit duhet të raportojë tek këshilli i Ministrave ose tek vetë Kryeministri. Ky vendim i kërkon Akademisë së Shkencave që brenda datës 15 dhjetor të çdo viti, të paraqesë pranë Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit informacion për veprimtarinë vjetore.
Një procedurë të tillë ndjekin të gjitha institucionet, të cilat hartojnë një analizë vjetore të punës dhe e paraqesin atë pranë ministrive përkatëse gjatë muajit dhjetor ose në fillim të viti të ri. Këtë pikë të re Këshilli i Ministrave ia ka bashkangjitur, nenit 14 të ligjit nr. 9655, "Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar. Një nen, i cili flet për financimin e Akademisë së Shkencave.
Aty thuhet: "Akademia është një institucion buxhetor dhe të ardhurat i siguron nga: a) Buxheti i Shtetit; b) shërbimet tekniko-shkencore, që kryhen për persona juridikë e fizikë jashtë sistemit të saj; c) aplikimet, projektet, dhuratat, subvencionet e sponsorizimet, të cilat përdoren në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Një tjetër ndryshim që i është bërë këtij ligji ka të bëjë me shpërblimin e akademikëve.
Anëtarët e rregullt të Akademisë, që janë në marrëdhënie pune, krahas pagesës, sipas vendit të punës, përfitojnë edhe shpërblim mujor për titullin "Akademik" në masën e përcaktuar nga Këshillit të Ministrave.
Edhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, ata, krahas pensionit që u takon si profesor, marrin edhe shpërblimin për titullin "Akademik". Por qeveria ka vendosur që edhe Akademikët e Asociouar të përfitojnë një shpërblim mujor që do të përcaktohet nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave.