Pesë grabitje në një orë, në kryeqytet

Grabitësit sulmuan një pikë lojërash fati, një pikë këmbimi valutor një argjendari dhe një lojtar kumari në kryeqytet
Në fshatin Zall- Bastar dy persona me armë vodhën me dhunë një banor të zonës duke i marrë 20 mijë lekë
TIRANE- Një seri ngjarjesh me armë goditën dje kryeqytetin, ndërsa tre persona mbetën të plagosur gjatë këtyre ngjarjeve të regjistruara nga policia si grabitje apo tentativa për grabitje.
Ngjarjet ndodhën thuajse në mënyrë të njëkoshme gjatë pasdites së djeshme, duke shkaktuar një situatë aspak të këndshme pasi ishte e nevojshme krijimi i disa grupeve hetimore në mënyrë të menjëhershme nga policia në lidhje me situatën e krijuar pas këtyre ngjarjeve. Në total, policia regjistroi pesë të tilla, nga të cilat tri i përkisnin komisariatit nr.4, një komisariatit nr.3 dhe një komisariatit nr.6.
Ngjarja e parë e regjistruar nga blutë e kryeqytetit i përket, komisariatit nr.6, pranë fabrikës së Birrës në një ambient lojërash fati dhe bilardoje, kur së paku dy persona të paidentifikuar, hynë në ambientet e lokalit duke detyruar punonjësit e lokalit të t'iu dorëzonin atyre të gjithë xhiron e turnit.
Policia nuk bëri të ditur shumën, por burimet e policisë dhe të prokurorisë së kryeqytetit, pohuan se shuma e grabitur mund të jetë afërsisht 500 mijë lekë të vjetra. Autorët pasi morën paratë mundën të largoheshin në mënyrë të rrufeshme.
Pas ngjarjes, policia mbërriti në vendin e lajmëruar, duke shoqëruar disa persona në ambientet e saj. Ndërkaq, pak momente më vonë, në rrugën e Durrësit, në një argjendari që mblidhte dhe përpunonte bizhuteri të vjetra ari e argjendi.
Autorët mësohet se kanë qenë dy persona me armë dhe policia, ka nisur menjëherë punën për identifikimin e tyre, ndërsa janë administruar gjurmë të ndryshme gishtërinjsh që pritet të dërgohen sot për krahasim në laborator.
Autorët nuk mundën të merrnin para në këtë rast pasi në të nuk kishte thuajse asnjë lek në dyqan. Ndërkaq thuajse në një hark kohor prej një ore nga njëra- tjetra dje pasdite, rreth orës 17:00, në komisariatin e Policisë nr.4, u regjistruan tri ngjarje. Fillimisht në Rrugën "Bardhyl", një person goditi me leve pronarin e një pike të këmbimit valutor, duke i shkaktuar atij plagë të rënda në kokë dhe në trup.
I dëmtuari u dërgua në spital dhe pas mjekimit u kthye në banesë. Dyshimet e policisë lidhen me një tentativë grabitjeje, apo me një grindje mes dy personave për qëllime banale, që më pas përfundoi në konfrontim fizik. Vetëm rreth 20 minuta më vonë, policia regjistroi një tentativë grabitjeje, në rrugën "Arkitekt Sinani", afër një pike të lojërave të fatit dhe basteve sportive, pranë një shkolle 9 vjeçare.
Autori goditi disa herë me thikë një person që dilte nga një pikë e basteve sportive aty. Ky i fundit mësohet se sapo kishte marrë një shumë të majme parash të fituar nga një bast sportiv që kishte luajtur. Për fatin e tij të mirë, autori nuk mundi t'i merrte paratë, por vetëm pësoi plagë në trup dhe për këtë u dërgua në spitalin civil në kryeqytet ku pas mjekimit u kthye në banesë.
Ngjarja e fundit ndodhi në Zall- Bastar, ku policia u njoftua se dy persona kishin ndaluar një burrë dhe i morën atij një sasi prej rreth 20 mijë lekësh të reja, nën kërcënimin e armës. Policia nisi në drejtim të fshatit, një grup hetimor i cili deri dje në mbrëmje nuk kishte mbërritur në vendin e ngjarjes, dhe pritej që ata të ktheheshin në Tiranë, gjatë orëve të vona të natës.